Google ADS

Aplikimi për shtesa të fëmijëve, lejohet edhe për këto raste të veçanta

13:58 | 1 Dhjetor 2021
F.T

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton qytetarët se tashmë aplikimi për Shtesa për Fëmijë në rastet e veçanta do të bëhet përmes platformës eKosova. Raste të veçanta konsiderohen ato kur nëna jeton me lejeqëndrim në Kosovë, kur prindërit janë të divorcuar dhe kujdestarinë e fëmijës e ka babai, kur nëna nuk jeton më, dhe kur fëmija është nën përkujdesjen e kujdestarit ligjor.

Në rastin kur nëna është me lejeqëndrim në Kosovë, kur kujdestarinë e fëmijës e ka babai pas divorcit apo kur nëna nuk jeton më, aplikimi për Shtesa për Fëmijë do t’i mundësohet babait. Pasi aplikuesi ta plotësojë formularin, sistemi automatikisht e verifikon nëse të dhënat janë të sakta dhe nëse aplikuesi është i martuar me një shtetase të huaj, është i ve apo është prind i vetëm.

Gjithashtu, aplikimi përmes platformës eKosova tashmë është i qasshëm edhe për personat të cilët kanë fëmijë nën kujdestari ligjore. Në këtë rast, kujdestarit ligjor i kërkohet edhe ngarkimi i një dokumenti që dëshmon kujdestarinë ndaj fëmijës.

Aplikimi për Shtesa për Fëmijë për këtë muaj do të jetë i hapur nga data 1 deri më 20 dhjetor. Të gjitha aplikimet që janë bërë përmes e-mail adresës pas datës 20 nëntor, luten që të aplikojnë sërish përmes sistemit në eKosova para datës 20 dhjetor.

Vlen të theksohet, se aplikimi i rregullt për Shtesa për Fëmijë vazhdon të bëhet nga nëna dhe se llogaria bankare do të jetë në emër të aplikueses, kurse aplikimi nga babai do të bëhet vetëm në raste specifike.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve qëndron e përkushtuar drejt realizimit të politikave që synojnë ngritjen e mirëqenies qytetare, e të cilat në të njëjtën kohë përkojnë drejtpërdrejtë me realizimin e Programit Qeverisës 2021-2025. /arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme