Të pamposhtur në tri ndeshje dhe shtatë nga nëntë pikë të fituara tregojnë se Norwich City janë ekip i denjë për nivelin e Premierligës, thotë ylli kosovar, Milot Rashica për faqen zyrtare të klubit.
“Ishte një fillim shumë i vështirë. Na u desh të ndërprisnim përgatitjet parasezonale për shkak të shumë rasteve me Covid, prandaj u anuluan shumë ndeshje miqësore. Ndeshje pas ndeshje, ne e njohim më shumë njëri tjetrin dhe po luajmë stilin tonë. Në tri ndeshjet e fundit, ne kemi treguar se mund të luftojmë në këtë nivel”, tha ai.
Rashica foli edhe për barazimin pa gola ndaj Wolves, ku u shpall lojtari i ndeshjes.
“Ndaj Wolves, ishte ndeshje shumë e mirë nga të gjithë. Ne luftuam, e ndihmuam njëri-tjetrin dhe bëmë gjithçka së bashku. Në fund, ne morëm një pikë, por merituam të trija, prandaj u ndjemë pak keq pas ndeshjes”, tha Rashica.
I pyetur për ndikimin e trajnerit të ri, Dean Smith, Rashica shtoi se ka qenë një tranzicion i qetë.
“Është shumë mirë për momentin, veçanërisht kur ke tre ndeshje pa humbje dhe fiton disa pikë,” tha ai. “Atmosfera është e mirë.
“Ata po bëjnë një punë të shkëlqyer dhe ne po e shijojmë atë. Është një stil i ngjashëm loje me atë që patëm me Daniel Farke, kështu që ai dhe stafi i tij bënë një punë të shkëlqyer për të na lejuar të jemi në momentin që kemi tani. Ata të dyve u pëlqen futbolli sulmues dhe mua më pëlqen gjithashtu. Nuk po pranojmë golat e lehtë që na kushtuan në ndeshjet e para. Po krijojmë raste dhe duhet vetëm të shënojmë edhe disa gola. Ne po flasim çdo ditë sepse shihemi dhe kemi shumë takime. Tani jemi në rrugën e duhur. E vetmja gjë që më mungon mua dhe skuadrës është më shumë gola dhe asistime, por për sa kohë që ne vazhdojmë të fitojmë pikë dhe luajmë lojëra të mira, nuk ka shumë rëndësi kush shënon”, u shpreh Rashica.
Për rëndësinë e ndeshjes së së martës kundër Newcastle, Rashica tha se ata nuk do të nënvlerësojnë askënd dhe duhet ta shohin çdo ndeshje si të domosdoshme.
“Ne kemi qenë gjithmonë të sigurt se jemi mjaftueshëm të mirë dhe kemi cilësi në këtë ekip për të qëndruar në ligë,” tha ai. “Fillimi nuk ishte i mirë, por është një sezon i gjatë dhe besoj se do t’ia dalim.
“Është gjithmonë mirë të kesh pak presion. Pas ndeshjes së fundit të mirë që patëm, do të shkojmë atje dhe do të përpiqemi të bëjmë detyrën tonë për t’u rikthyer me tre pikë. Nuk ka ndeshje të lehta, nuk ka rëndësi nëse skuadra është e fundit apo e para. Çdo javë ka surpriza në Premier League. Unë mendoj se çdo javë është një domosdoshmëri për të fituar për shkak të pozicionit në të cilin jemi”, u shpreh Rashica
Rashica është bërë i preferuari i tifozëve kohët e fundit me paraqitjet e tij në fushë, duke marrë çmimin e votuar nga tifozët kundër Wolves.
“Unë mund të dëgjoja këngën time të re,” tha ai. “Në fillim nuk e kuptova sepse isha i fokusuar te loja, por e kam parë më vonë në rrjetet sociale.
“Ka qenë një mirëseardhje e mrekullueshme deri më tani. Mund ta ndjeni edhe jashtë stadiumit dhe jashtë klubit të futbollit. Të gjithë në qytet jetojnë për këtë klub, kështu që ata meritojnë që ne të japim gjithçka për ta”, përfundoi Rashica. /GE/
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën