Gjilani fituese e derbit të Anamoravës, Llapi arrinë fitore ndaj Drenicën, kurse Ballkani fiton ndaj Malishevës

15:02 | 25 Nëntor 2021
Lorik Gerbeshi

Sot janë zhvilluar edhe tri ndeshjet e fundit në kuadër të xhiros së 15-të të Superligës së Kosovës.

Gjilani ka arritur fitore minimale ndaj Dritës për të dalë si fitues në derbin e Anamoravës.

Pjesa e parë u karakterizua me disa raste por nuk pati gola, ndërsa në pjesën e dytë skuadra e Ismet Munishi arrit të shënojë gol qysh në minutën e 48-të përmes Albert Dabiqaj.

Drita nga ana tjetër kaloi në ofanzivë, por pavarësisht rasteve nuk arritën të ndryshojnë shifrat.

Përmes kësaj fitore, Gjilani tani vazhdon kryesimin në renditjen tabelare të Superligës me 28 pikë, kurse Drita në vendin e tretë me 25 pikë.

Nga ana tjetër, Llapi ka shënuar një tjetër fitore të thellë kundër Drenicës me rezultat 5-3.

Të parët që kaluan në epërsi ishte skuadra e Drenicës në minutën e 24-të përmes Kreshnik Ukës, i cili ishte edhe goli i vetëm në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë, skuadra e Llapit vazhdoi me “breshëri” golash.

Elvis Prençi shënoi në minutën e 48-të për të barazuar rezultatin, para se Francisco Rivera të kalonte llapjanët në epërsi në minutën e 56-të.

Valmir Veliu (61’), Alef Firmino nga penalltia (66’) dhe Bujar Idrizi në minutën e 68-të ishin golat e shënuar nga skuadra e Tahir Batatinës.

Në minutën e 83-të, Kreshnik Uka realizoi sërish gol për të ngushtuar sado pak epërsinë e Llapit në 5-2.

Uka plotësoi hat-trickun e tij në minutat shtesë të ndeshjes përmes penalltisë për rezultatin përfundimtar 5-3.

Pas kësaj fitore, Llapi renditet në vendin e katërt me 24 pikë të grumbullara, ndërsa Drenica në vendin e 6-të me 20 pikë.

Nga ana tjetër, edhe Ballkani ka shënuar fitore të rëndësishme kundër Malishevës.

Në pjesën e parë të ndeshjes nuk pati gola, për t’u shënuar pastaj dy gola tjerë në pjesën e dytë.

Golin e parë të ndeshjes e shënoi Albion Rrahmani në minutën e 75-të, ndaj ish-skuadrës së tij.

Ndërsa Ermal Krasniqi shënoi nga penalltia në minutën e 90-të për rezultatin përfundimtar 2-0.

Pas kësaj fitore Ballkani renditet në vendin e dytë me 27 pikë të grumbullara, ndërsa Malisheva në vendin e nëntë me 15 pikë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme