Google ADS

“Tirana një qytet më i dendur, por me çfarë kostoje” Bloomberg: Nga vijnë paratë për rrokaqiejt që po rriten si kërpudha?

23:15 | 20 Nëntor 2021
Trina Galanxhi

Gjatë dekadës së ardhshme, Tirana do t’i nënshtrohet një ndryshimi dramatik. Në qendër të kryeqytetit shqiptar, ndërtesat e larta moderne po zënë vendin e përzierjes aktuale të ndërtesave historike të ndërtuara në mënyrë joformale, sipas një plani të quajtur Tirana 2030. Qeveria thotë se synimi është të ndalojë shtrirjen urbane duke e përqendruar ndërtimin në zemrën e qytetit, si dhe shndërrimi i saj në një qytet më të gjelbër, me korsi biçikletash, më tepër makina elektrike dhe pemë që rrethojnë qendrën.

Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra të Evropës, me GDP për kokë sa rreth 30% të mesatares së Bashkimit Evropian. Dhe, sipas bashkisë, një rinisje dramatike është e nevojshme për ta shndërruar kryeqytetin e gjallë por kaotik të Shqipërisë në një metropol modern evropian. “Tirana rritet çdo vit me rreth 30 mijë njerëz, (ndaj pyetja është) si ta planifikojmë këtë rritje në mënyrë të shëndetshme”, thotë Kryebashkiaku Erion Veliaj, anëtar i Partisë Socialiste në pushtet. “Mendoj se e kemi thyer mitin që vetëm qytetet e pasura mund ta bëjnë”.

Por me rrokaqiejt që mbijnë si kërpudha nëpër qytet dhe disa ndërtesa kyç historike tashmë të shkatërruara, kritikët e planit shqetësohen se qyteti po iu shitet ndërtuesve pa u konsultuar më parë me publikun, në një proces që mund ta ndryshojë aq sa të mos njihet më shtëpinë e tyre. Arkitektë, akademikë e aktivistë thonë se shkatërrimet po çojnë në humbje të historisë, rritje të çmimeve të banesave dhe ndoshta shërbejnë edhe si operacione pastrimi parash për krimin e organizuar.

“Kur sheh planet, vë re që i gjithë qyteti është nën ndërtim”, thotë Doriana Musai, një arkitekte që mori pjesë në protesta.

Sheshi “Skënderbej” në vitin 1989

Historia e pasur e Shqipërisë shpaloset plotësisht në qendrën e Tiranës. Sheshi Skënderbej u bë qendra e qytetit pas çlirimit nga Perandoria Osmane në fillim të viteve 1900. I dizenjuar gjatë pushtimit italian, ai përmban ndërtesa moderniste italiane të viteve 1930 dhe arkitekturë të stilit sovjetik nga periudha e mëvonshme socialiste. Më tej, bulevarde të gjerë paraqesin një miks eklektik pallatesh banimi nga koha e Italisë dhe blloqe apartamentesh të mëvonshme, shumë syresh të rimodeluar radikalisht nga banorët pas rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90. Rrugë të ngushta si në fshat kalojnë mes tyre, duke krijuar një larmi të rrëmujshme por vibrante.

Sheshi Skënderbej është tani në qendër të ndryshimeve të qytetit. Dikur një nga rrethoret me më tepër qarkullim në qytet, tani është vetëm për këmbësorët, duke krijuar një hapësirë aq të nevojshme publike. Por ka edhe shtojca kontradiktore: të paktën katër ndërtesa të larta, në faza të ndryshme ndërtimi, kanë mbirë në dy vitet e fundit. Edhe ajo çka mungon godet. Në jug të këtij grumbulli është një gropë ku dikur qëndronte një pikë referimi. Teatri Kombëtar i Shqipërisë, i ndërtuar më 1938 dhe i konsideruar si një shembull i veçantë i futurizmit italian, u shkatërrua në maj 2020, pas një pushtimi dyvjeçar nga aktivistët, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një teatri të ri më të madh. Kur u shkatërrua, natën, pa paralajmërim, shumë aktivistë ishin ende brenda tij. Pas protestave, firma arkitekturore Bjarke Ingels Group thuhet se u tërhoq nga projekti, duke i lënë punimet pezull dhe truallin të papërdorur e të rrethuar nga gardhet e përkohshëm, me një mini-varr për teatrin e vjetër para, të mbushur me qirinj. Ingels nuk iu përgjigj kërkesës së CityLab për koment.

“Gjithçka është në rrezik… kujtesa kolektive, vendet e trashëgimisë”, thotë Musai, e cila protestoi te teatri. “Dhe stimulon gentrifikimin. Qyteti i ri po zë gjithçka dhe ne nuk mund ta lejojmë këtë, sepse do të humbasim lidhjen me të kaluarën”.

Protestat e 17 majit 2020 pas prishjes së Teatrit Kombëtar

Planet për ndryshimin rrënjësor të qendrës së qytetit u zbuluan fillimisht më 2016, nën emrin Tirana 2030. Joni Baboçi, këshilltar i kryebashkiakut për planifikimin dhe arkitekturën, thotë se synimi ishte “ri-imagjinimi territorial i Tiranës”. Që nga rënia e regjimit komunist, mijëra njerëz u shpërngulën në kryeqytet nga zona rurale në kërkim të punës, duke u vendosur në toka bujqësore dikur shtetërore. Baboçi argumenton se ndonëse kjo i dha shumë ngjyra qytetit, rezultoi edhe në mangësi hapësirash publike dhe të harmonisë arkitekturore.

“Ne donim të krijonim një qendër urbane të vogël, shumë të dendur dhe të ruanim sa më shumë të ishte e mundur nga territori rural dhe periferik”, shpjegon. “Ndaj plani parandalon zhvillimin rezidencial jashtë bërthamës së qytetit dhe nxit njerëzit të ndërtojnë në qendër”. Arktiket italian Stefano Boeri dizenjoi një pyll orbital për të rrethuar këtë qendër dhe ndihmoi në ndërtimin e planimetrisë që do të siguronte më tepër gjelbërim dhe hapësirë publike. Janë ndërtuar korsi biçikletash, si dhe janë stimuluar taksistët për të përdorur makina elektrike.

Sipas Baboçit, ndërtuesit janë inkurajuar të ndërtojnë ndërtesa të larta për të rritur densitetin. Në shkëmbim, ata duhet t’i japin qytetit një pjesë të caktuar të tokës përreth ndërtesës për ta përdorur si hapësirë publike. Sa më lart të ndërtojnë, aq më i madh është proporcioni që duhet t’i kthehet qytetit. Lejohet njëfarë fleksibiliteti me lartësinë e kateve, megjithëse Baboçi thotë se synohet ngjashmëri në stil dhe skemë ngjyrash. Për t’i hapur rrugë këtij ndërtimi të ri, ndërtesat ekzistuese po prishen. Baboçi thotë se zhvilluesit e pronave zakonisht hyjnë në një marrëveshje me pronarët aktualë të tokave, të cilëve u jepet një përqindje e ndërtimit të përfunduar. Bashkia merr një taksë 8% dhe Baboçi thotë se vendimi për të përqendruar zhvillimin në qendër ishte pjesërisht i motivuar financiarisht, pasi çmimet e pronave atje janë më të larta.

Dëshira për të mbledhur fonde dhe krijimi i hapësirës publike është i dukshëm për një pushtet lokal pa pará . Zhvillimi i rrëmujshëm i Tiranës ka sjellë pakësimin e objekteve si këndet e lojërave dhe parqet. Por kritikët thonë se ndërtimet që po kryhen aktualisht nuk i përmbushin këto kushte, si dhurimi i një pjese të tokës për hapësirë publike dhe se shumë prej tyre po ndërtohen pa ndonjë plan të qartë.

Në përgjigje, Veliaj thotë se çdo leje ndërtimi e dhënë deri tani parashikon kthimin e një pjese të konsiderueshme toke për përdorim publik dhe thotë se do të ishte i lumtur t’u përgjigjej pyetjeve nëse njerëzit shqetësohen për projektet. “Kemi bërë 27 konsultime në çdo lagje”, thotë. “Kur thua ‘jo në oborrin tim’, a është vërtet oborri yt? Nëse nuk është vërtet oborri yt dhe nëse kjo hap vende pune dhe liron hapësira publike, atëherë mendoj se ata që ankohen duhet të marrin pjesë në konsultime”.

Një zonë në qendër të Tiranës

Bashkia thotë edhe se planet janë online dhe të gjithë mund t’i shohin – një hartë në faqen e saj në internet liston se çfarë mund të ndërtohet në secilën “zonë” të vogël të qendrës së qytetit për sa i përket lartësisë dhe përdorimit të tokës, si dhe janë publikuar PDF të zgjeruara të planeve. Edhe Boeri ka ndarë me publikun interpretimet e tij, duke treguar shumë nga veçoritë e gjelbërimit të dizenjos së re. Por nuk është publikuar asnjë plan i detajuar se si do të duket saktësisht qendra e transformuar. Aktivistët dhe arkitektët argumentojnë se kjo e bën të pamundur për njerëzit e zakonshëm të kuptojnë se çfarë forme do të marrin zhvillimet.

Duke pasur parasysh ekonominë e dobët të vendit, ka edhe shqetësime se nga vijnë paratë për këto zhvillime. Sipas një numri ekspertësh, Shqipëria është bërë një vend i preferuar për kriminelët ndërkombëtarë për të pastruar paratë e tyre. Prokurorët antimafia në Itali zbuluan se sindikata e krimit ‘Ndrangheta e shihte ndërtimin e ri të Tiranës si një mundësi pastrimi. Task Force e Veprimit Financiar (FAFT), një mbikëqyrës global i pastrimit të parave, e ka vendosur Shqipërinë në “listën gri”, që do të thotë se konsiderohet me rrezik të lartë për pastrim parash për shkak të dobësive në sistemet e saj dhe ka caktuar pasuritë e paluajtshme si një sektor preokupimi të veçantë. Ehe Zyra e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave në Shqipëri thotë se ka vëzhguar “investime të konsiderueshme në pasuri të paluajtshme me burim të panjohur fondesh”, të cilat i klasifikoi si “të dyshimta”.

Por Baboçi nuk beson në përhapjen e gjerë të aktiviteteve të paligjshme. “Për mendimin tim, kur ndërton nuk është e lehtë të pastrosh para. Kushdo mund të shkojë e të kontrollojë atë që ke investuar dhe sa ke deklaruar”.

Shqipëria u angazhua politikisht për fuqizimin e sistemeve kundër pastrimit të parave në shkurt 2020 dhe ka ndërmarrë hapa që atëherë, përfshirë rritjen e sanksioneve financiare. Veliaj shton: “Ne kemi një agjenci për pastrimin e parave që kontrollon të gjitha financat. Gjithçka paguhet përmes bankave. Ndryshe nga administrata e mëparshme, kur njerëzit vinin me para në dorë për të paguar taksat, tani bëhet e gjitha online. Lejet jepen online”.

Pavarësisht burimit të parave, rritja e çmimeve për pronat e patundshme po e bën më pak të përballueshme blerjen e shtëpive. Çmimet e pronave në Tiranë u rritën rreth 6% që më 2020 ndërsa ekonomia u tkurr me të njëjtën shifër për shkak të pandemisë.

Bashkia e Tiranës thotë se asnjë objekt i listuar si monument kulture nuk do të prishet dhe ka vënë në dukje faktin se Teatri Kombëtar nuk është konsideruar asnjëherë i tillë, si justifikim për shkatërrimin e tij. Por kjo nuk ka rëndësi, sipas Paolo Vitti, profesor arkitekture në Universitetin e Notre Dame dhe anëtar i bordit të Europa Nostra, një OJQ e trashëgimisë kulturore që foli kundër shkatërrimit të teatrit. Ai argumenton se e gjithë qendra e Tiranës duhet mbrojtur për shkak të historisë dhe rëndësisë së saj arkitekturore.

“Gjatë dhjetë viteve të fundit ka pasur një qëndrim shumë agresiv nga bashkia në përpjekje për të shitur idenë se modernizmi vjen nga shembja e ndërtesave të vjetra dhe krijimi i arkitekturës spektakolare bashkëkohore”, thotë ai, duke shtuar se ndërtimet e reja nuk shërben si përmirësues i bërthamës historike.

Ai paralajmëron edhe se ky lloj zhvillimi nga lart-poshtë, për të cilin ai argumenton se në thelb importon një qytet të ri me shpirt anonim mbi qytetin ekzistues, rrezikon të krijojë një mori problemesh mjedisore dhe sociale, përfshirë tjetërsimin dhe trazirat civile. “Ndërtesat kanë kuptim vetëm nëse njerëzit u japin atyre kuptim”, thotë. “Ato nuk ekzistojnë për vlerën e tyre objektive.”

Ndonëse “pushtimi” i teatrit ndihmoi në ndërtimin e një lëvizjeje të dukshme të shoqërisë civile, shumica e aktivistëve nuk besojnë se mjafton për të ndaluar ndërtimet e vazhdueshme. Partia Socialiste, e cila mori pushtetin më 2013, fitoi së fundmi mandatin tretë, duke u inkurajuar të vazhdojë me zbatimin e planeve. “Ne kemi kërkuar drejtësi dhe kemi bërë gjithçka që kemi në dorë si qytetarë”, thotë Musai. “Ata duan të imponojnë vullnetin e tyre dhe publiku po përjashtohet nga vendimmarrja. Ligjet tona nuk mjaftojnë për të na mbrojtur trashëgiminë. Po shkatërrohet dhe po zëvendësohet me një model të ri”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme