Google ADS

Kurti diskutoi me Odën Tregtare Kosovaro-Turke për mundësitë e investimeve në Kosovë

16:22 | 20 Nëntor 2021
A. B.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur sot takim konsultues me anëtarë të Odës Tregtare Kosovaro-Turke, me të cilët diskutoi për mundësitë e investimeve në Kosovë.

Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë për nxitjen e investimeve nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm dhe të shpejtë ekonomik e social, dhe tolerancës zero ndaj krimit dhe korrupsionit.

Kryeministri Kurti i njoftoi afaristët për kushtet e të bërit biznes në Kosovë.

Ai potencoi stabilitetin politik, rritjen më të madhe ekonomike në rajon, politikat fiskale që po dizajnohen për të ardhmen, rininë më të madhe me përqindje të popullsisë në krejt Evropën dhe mërgatën më patriotike.

Për mërgatën, kryeministri tha se është e ngjashme me diasporën turke në Gjermani dhe me diasporën irlandeze në Amerikë.

Ky është viti i parë kur në kanalet zyrtare, diaspora jonë do të dërgoj mbi 1 miliard euro, pa përfshirë këtu paratë kesh që i sjellin me vete, tha kryeministri Kurti dhe shtoi se remitancat e diasporës në Kosovë janë mbi 20 për qind të bruto produktit vendor.

“Ndoshta diaspora irlandeze e turke sjellin më shumë para në vendlindje, por nuk besoj në këtë raport me bruto produktin vendor e buxhetin e shtetit”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se Kosova e ka shkallën e ultë të inflacionit e cila paraqet rrezik të ultë për investitorët, dhe është importuese e madhe e mallrave të Turqisë. Kemi një raport diku eksport-import me Turqinë 1 me 40, tha ai, gjersa theksoi rëndësinë e rritjes së eksportit me Turqinë.

“Ne ofrojmë huazim të tokave nga 10 deri në 99 vjet dhe shmangim tatimin e dyfishtë dhe gjithashtu i eliminojmë procedurat e gjata burokratike, me ç’rast në secilën komunë mund të hapet biznesi për vetëm tri ditë”, tha kryeministri.

Afaristët u njoftuan edhe për funksionimin e zonave të veçanta ekonomike me infrastrukturë dhe lehtësira administrative, si në Drenas, Mitrovicë, Shtime, Therandë, Lipjan, Gjakovë dhe në Prizren me Parkun e Trajnimit dhe Inovacionit.

Në takim ishin të pranishëm Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ministrja e Ministrisë për Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, Rozeta Hajdari, Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, Ministri i Ministrisë për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka, shefi i stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar dhe kryetari i Odës Tregtare Kosovaro-Turke, Abdurrahman Balkiz.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari ambasador z.Sakar,

I nderuari kryetar i Odës Tregtare Turko-Kosovare, Abdurrahman Balkiz,

Të nderuar biznesmenë,

I nderuari zëvendëskryeministër Bislimi,

Të nderuar ministra,

Mirë se keni ardhur në këtë takim konsultues për të diskutuar mundësitë e mëdha që ofrohen për investime në vendin tonë.

Në Kosovë kemi stabilitet politik, kemi rritjen më të madhe ekonomike në rajon. Kemi politika fiskale që po dizajnohen për të ardhmen. E kemi rininë më të madhe me përqindje të popullsisë në krejt Evropën, e kemi mërgatën më patriotike. Jemi në mes të Ballkanit, por edhe afër Afrikës Veriore e lindjes së saj.

Pandeminë COVID-19 e kemi menaxhuar shumë mirë. Kur e kemi marrë detyrën më 23 mars nuk ka pasur vaksina në Kosovë, nuk ka pasur as kontrata për vaksina dhe nuk ka pasur as negociata për kontratë.

I kemi kaluar 1.6 miliona vaksina të administruara, pra gjithsej doza, me ç’rast në moshën mbi 16 vjeçare 56 për qind i kanë dy doza, ndërkaq 64 për qind e kanë një dozë.

Mosha mesatare në Kosovë është 30 vjeç, më shumë se 2/3 e popullsisë janë nën 35 vjeç dhe me qeverisjen tonë parashikojmë sipas Bankës Qendrore të Kosovës të kemi rritje ekonomike prej 9.9 për qind për vitin 2022.

Sipas Bankës Botërore viti i kaluar ka shënuar një tkurrje në ekonomi prej 3.1 për qind, ndërkaq këtë vit rritje praktikisht dy shifrore.

Janë rritur të hyrat buxhetore pa ndryshuar politikën fiskale, sepse ka rregull e disiplinë më shumë, sepse populli paguan më kollaj tatimet kur e di që qeveria është e ndershme dhe gjithashtu populli shpenzon më shumë kur ka shpresë.

Ne të gjithë e dimë nga jeta jonë që kur ka frikë ka kursim, ndërkaq kur ka shpresë ka shpenzim. Popullsia është duke shpenzuar më shumë, diaspora po dërgon më shumë dhe si qytetarët ashtu edhe bizneset kanë paguar më shumë tatime në këtë vit, por pa e ndryshuar ne politikën fiskale.

Jemi të interesuar që ta shtojmë bashkëpunimin me Turqinë dhe këtë më së miri do ta bëjmë në fushën ekonomike, prandaj edhe pas saktësisht një muaji në Turqi do të vije zëvendëskryeministri im i parë Besnik Bislimi, i cili është përgjegjës për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog.

Dua të flas shkurtimisht për mërgatën tonë, për diasporën tonë, e cila është e ngjashme me diasporën turke në Gjermani dhe me diasporën irlandeze në Amerikë.

Ky është viti i parë kur në kanalet zyrtare, diaspora jonë do të dërgoj mbi 1 miliard euro, pa përfshirë këtu parat kesh që i sjellin me vete, automjetet që i sjellin nga Evropa Perëndimor, por mandej s’i marrin me vete kur të kthehen, gjësendet materiale që i bijnë, si telefonat, por edhe i financojnë dasmat, pushimet verore dhe muajt e mjaltit.

Kështu që remitancat e diasporës në Kosovë janë mbi 20 për qind të bruto produktit vendor, e ndoshta janë rreth 25 për qind, 1/4.

Ndoshta diaspora irlandeze e turke sjellin më shumë para në vendlindje, por nuk besoj në këtë raport me bruto produktin vendor e buxhetin e shtetit.

Kosova e ka shkallën e ultë të inflacionit e cila paraqet rrezik të ultë për investitorët, dhe është importuese e madhe e mallrave të Turqisë. Kemi një raport diku eksport-import me Turqinë 1 me 40.

Natyrisht që ne jemi të interesuar të importojmë nga Turqia si një vend mik, por mendojmë që bashkë do të mund t’i rrisnim edhe eksportet në Turqi, sepse Kosova është një vend i përshtatshëm edhe për Business Process Outsourcing, sepse ka shumë talent, të cilën ne do ta çlirojmë me qeverisjen tonë të mirë.

Në gjashtë vjetët e fundit, importet nga Turqia janë mbi 2 miliardë euro.

Ne jemi më shumë të interesuar që të kemi biznese që punësojnë njerëz, sesa që jemi të preokupuar me shkallën e tatimit në fitim.

Prioritet për neve është, punësimi i popullsisë, sidomos i të rinjve dhe grave.

Kosova ka qasje të pandërprerë në energji, me koston më të ulët në rajon. Kemi internet të shpejtë, me 96 për qind qasje dhe kemi një shpërthim të kompanive të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, me ç’rast 61 për qind të tyre punojnë në tregun ndërkombëtar.

Monedha jonë është euro, e cila lehtëson shumë pagesat dhe të bërit biznes.

Ne ofrojmë huazim të tokave nga 10 deri në 99 vjet dhe shmangim tatimin e dyfishtë dhe gjithashtu i eliminojmë procedurat e gjata burokratike, me ç’rast në secilën komunë mund të hapet biznesi për vetëm tri ditë.

Kemi zona të veçanta ekonomike me infrastrukturë dhe lehtësira administrative, si në Drenas, Mitrovicë, Shtime, Therandë, Lipjan, Gjakovë dhe në Prizren me Parkun e Trajnimit dhe Inovacionit, ku ka qenë KFOR-i gjerman më herët.

Gjithashtu, kemi një diasporë në Turqi, emigrantët tanë, të cilët kanë shumë biznese dhe vizita e zëvendëskryeministrit, besojmë se do të ndikojë, që sa më shumë biznese nga Turqia, duke përfshirë edhe emigrantët tanë, të interesohen për të investuar në Kosovë.

Pra, ata do të mund të jenë një shtyllë shtesë në urën e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Turqia është ndër shtetet e para që na ka njohur, madje ka një garë a ka qenë Afganistani apo Turqia. Është çështje e minutave, se cili prej këtyre shteteve na ka njohur i pari në shkurtin e vitit 2008 dhe me stabilitetin politik tash, besojmë që ka ardhur koha që të bëjmë më shumë në aspektin ekonomik, se cilado qeveri më përpara.

Mënyra se si e ka bërë edhe Turqia industrializimin dhe modernizimin e ekonomisë, është padyshim një shembull, nga i cili mund të mësojmë edhe ne.

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kemi shënuar sasi më të madhe të investimeve të huaja, që nga shpallja e pavarësisë. Ajo është më e lartë për 33 për qind se sa në vitin e kaluar. Është më e lartë 109 për qind se sa në vitin 2019 dhe investimet e huaja në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, janë 89 për qind më të larta se sa mesatarja e investimeve të huaja në dekadën 2010-2020.

Shpresa dhe optimizmi janë reale në Kosovë, prandaj në Kosovë është bërë racionale të jesh idealist dhe kjo është njësoj e rëndësishme si për jetën e individit, ashtu edhe për ekonominë e një vendi.

Edhe unë jam i interesuar që vitin e ardhshëm patjetër ta vizitoj Turqinë dhe të shohim se çfarë marrëveshje bashkëpunimi mund të bëjmë midis Kosovës dhe Turqisë. Ato që i kemi nënshkruar, t’i zbatojmë të gjitha, por do të bëjmë edhe të tjera të reja.

Ju faleminderit edhe njëherë për vizitën, për takimin dhe unë tash do t’ia kisha kaluar fjalën shkurtimisht edhe kolegëve të mi nga kabineti qeveritar. Faleminderit. /arbresh.info/

Të ngjashme