Google ADS

Kurti: Duke u vaksinuar i mbajmë nxënësit nëpër shkolla, e shkollat e hapura

20:19 | 17 Nëntor 2021
Arditë Shkodra

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pas takimit në Ministrinë e Shëndetësisë me ministrin e ri Rifat Latifi, është deklaruar përmes një video të publikuar në llogarinë e tij në Facebook.

Ai tregoi se në këtë takim është informuar në lidhje me ecurinë e procesit të vaksinimit dhe situatën epidemiologjike, transmeton arbresh.info

“Të dashur qytetarë të Republikës, sapo e përfundova vizitën në Ministrinë e Shëndetësisë ku nga ministri i  ri Dr. Latifi dhe bashkëpunëtorët e tij u informova për ecurinë e procesit të vaksinimit dhe situatën epidemiologjike”, tha Kurti.

Ai gjithashtu tregoi për numrin e vaksinave të administruara deri më tani si dhe u bëri thirrje prindërve dhe mësimdhënësve në veçanti, që të inkurajojnë të rinjtë të vaksinohen.

Fjalimi i plotë i Kurtit:

Të dashur qytetarë të Republikës, sapo e përfundova vizitën në Ministrinë e Shëndetësisë ku nga ministri i  ri Dr. Latifi dhe bashkëpunëtorët e tij u informova për ecurinë e procesit të vaksinimit dhe situatën epidemiologjike

Sot kemi tejkaluar administrimin e 1.6 milionë vaksinave kundër Covid-19.

Me një dozë janë vaksinuar 64 për qind e popullatës mbi moshën 16 vjeçare, ndërsa me dy doza janë vaksinuar mbi 56 për qind.

Profesionistëve shëndetësor u jemi shumë mirënjohës për angazhimin vetëmohues në vaksinim dhe në shërbim të shëndetit publik.

Situata aktuale epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë është më e mira në Ballkanin Perëndimor e ndër më të mirat në të gjithë Evropën.

Në 30 ditët e fundit, gjithsej, kemi numër një shifror të vdekjeve, ndërsa në dy javët e fundit ka rënë me dy të tretat numri i infeksioneve.

Por asgjë nuk ka përfunduar.

Në veçanti tani kur kemi dy variante në qarkullim: variantin Delta që është akoma dominues dhe variantin Delta Plus, i cili në bazë të të dhënave të deritanishme përhapet edhe më shpejtë.

Prandaj duhet të përgatitemi më mirë që ta parandalojmë një valë të re të këtij varianti super shpërndarës.

Vaksinimi është dëshmuar se është mënyra më efikase për t’u mbrojtur dhe për ta mposhtur virusin. Ata që ende kanë dyshime, ju bëj apel që për hir të shëndetit personal, të familjes dhe shoqërisë, t’i kapërcejnë paragjykimet për vaksinat.

Ju bëj thirrje posaçërisht prindërve dhe mësimdhënësve që të inkurajojnë të rinjtë të vaksinohen. Duke u vaksinuar i mbajmë nxënësit nëpër shkolla, e shkollat e hapura.

Vaksina kemi mjaftueshëm dhe të gjitha ato janë të dëshmuara për nga siguria dhe efikasiteti.

Shfrytëzojeni mundësinë e vaksinimit pa termin, në cilëndo qendër a pikë vaksinimi pavarësisht vendbanimit a shtetësisë.

Vaksinohuni pra. Për veten, për më të dashurit tuaj dhe për vendin tonë. Bashkë ia dalim./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme