Vetëm 4 komuna në zgjedhje lokale, a është kjo fuqia reale e VV-së

09:22 | 17 Nëntor 2021
Përparim Bublaku

Rezultati jo i mirë i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet lokale ku fitoi vetëm katër komuna, është komentuar me vlerësime të ndryshme, duke theksuar edhe faktin se kjo ka qenë fuqia e vërtetë e kësaj partie.

Se ky rezultat erdhi disa muaj pas zgjedhjeve parlamentare, ku VV në koalicion me Listën Guxo e udhëhequr nga Vjosa Osmani , fitoi mbi 50 përqind të zgjedhjeve nacionale.
Dështimet dhe arsyet e humbjes së LVV-së, njohësit e çështjeve politike po i shohin të ndryshme.

Drejtori i programit në IPS, Musine Kokolari, për arbresh.info tha se një nga arsyet e rezultatit të dobët të LVV-së ishte se elektorati i Listës Guxo bojkotoi VV-në në këto zgjedhje.

“Ndonëse të ndryshme si cikël zgjedhore dhe arsyet e shumta të këtij rezultati të dobët të Lëvizjes Vetëvendosje! më 14 nëntor, një nga shkaqet është edhe mungesa de fakto e elektoratit që e ka mbështetur Listën ‘Guxo’ në zgjedhje parlamentare. Duket se elektorati i Listës “Guxo” që votoi më 14 shkurt nuk i ka ndjekur kësaj herë as deputetët aktual të Listës “Guxo” dhe as Vetëvendosjen më 14 nëntor”, tha Kokolari .

Mendim ndryshe në lidhje më këtë çështje ka analisti Nexhmedin Spahiu.

Spahiu tha se nuk e sheh mungesën e përkrahjes së Listës Guxo, por se një nga arsyet kryesore është dështimi në qeverisje nga Albin Kurti.

“Prapë ka qenë me Vjosën si në zgjedhjet kombëtare si në këto lokalet dhe nuk ka fare të bëjë me atë me Vjosën. Dihet që lista e saj ka qenë në koalicion edhe në zgjedhjet lokale. Arsyeja e dështimit të LVV-je ka qenë po mendoj dështimi në qeverisje i Albin Kurtit, për shkakun që për veç në Ministrinë e Punëve të Brendshme që ka rezultuar me një aksion të suksesshëm në veri të vendit sa i përket tabelave”, tha Spahiu.

Tutje Spahiu, tha se populli nuk mund të pres 90 muaj që të shoh suksesin e Qeverisë, për këtë edhe u ndëshkua.

“Askund tjetër nuk ka shënuar rezultat në asnjë fushë tjetër, as në infrastrukturë, as në kulturë, as në ekonomi ka qenë një frenim i korrupsionit por frenimi i korrupsionit nuk është shoqërua me një ngritje një progres ndërsa rruga më e qarkullume Mitrovicë-Prishtinë nuk u asfaltua për një milimetër, kanë kaluar nëntë muaj dhe nuk mund të pres populli me kalua 90 vjet për me pa suksesin e qeverisjes kjo ka qenë arsyeja e dështimit”, deklaroi Spahiu.

Për rezultatin e arritur në këto zgjedhje, ka folur edhe kryetari i VV-së, Albin Kurti njëherit edhe kryeministër i vendit.

Kurti ka pranuar se ky rezultat ka ardhur si pasojë defekteve të brendshme në parti.

“Ka defekte strukturore dhe organizative, nuk kemi struktura që i përgjigjen madhësisë, kjo është një pjesë e shpjegimit. Pra ka defekte të brendshme. Nga ana tjetër ka pasur një bashkim të partive politike kundër nesh, që në këtë rast nuk e kanë pasur me kandidatët tanë, por me Qeverinë që nuk mund ta pranojnë punën e mirë që është bërë”, tha Kurti, të martën në një konferencë për media.

Kujtojmë që në zgjedhjet lokale Lëvizja Vetëvendosje fitoi vetëm 4 komuna, Podujevën, Gjilanin, Kamenicën dhe Shtimen./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme