Të gjitha enigmat në “Kontinentin e Vjetër” për sa i përket përfaqësueseve të kualifikuara për në botërorin e ardhshëm nëpërmjet vendeve të para në grupet e tyre respektive janë zgjidhur, me përjashtimin e vetëm të Grupit G, ku gjithçka është ende e hapur dhe bileta e fundit do të merret pikërisht nga skuadra që do të fitojë sfidën treshe, ndërmjet Holandës, Turqisë dhe Norvegjisë.
Mbrëmja e së martës do të jetë pra edhe e fundit për fazën e grupeve në Konfederatën e UEFA-s dhe natyrisht ekipi kombëtar që do të fitojë rivalitetin mes këtyre tre vendeve do të plotësojë përfundimisht edhe numrin e dhjetë përfaqësueseve, të cilat do të shkojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në botërorin e ardhshëm, që do të zhvillohet vitin tjetër në Katar, gjatë periudhës nëntor – dhjetor.
Grupi G mund të konsiderohet me plot gojën edhe si më emocionuesi, përsa i përket fazës së grupeve të Kontinentit Evropian, e vlefshme për edicionin e 22 të Kupës së Botës, megjithëse për hir të së vërtetës gjithçka u kuptua që në start, kur Turqia mundi Holandën brenda në Stadiumin Olimpik Ataturk të Stambollit me rezultatin 4-2, falë tre golave të realizuar nga kapiteni i skuadrës, sulmuesi 36-vjecar i Lilës Burak Yilmaz.
Pavarësisht pranisë së portokallinjve në këtë grup gjërat vazhduan të ndërlikuara dhe rivaliteti vijoi i ashpër, deri në ditën e fundit të sfidave kualifikuese. Për momentin “tulipanët” kontrollojnë grupin dhe është e qartë që Oranje e ka vetë në dorë cështjen e kualifikimit.
Aktualisht përfaqësuesja e drejtuar nga trajneri i mirënjohur Louis van Gaal kryeson Grupin G në kuotën e 20 pikëve, ndërsa Turqia dhe Norvegjia ndjekin nga pas me vetëm dy pikë më pak.
Kualifikimi dramatik i Serbisë në “da Luz” të Lisbonës dhe mundësia e shkëlqyer që shpërdoroi ekipi luzitan brenda në Portugali kanë trembur jo pak edhe një vend si Holanda, që është shpallur tre herë nënkampione e botës në vitet 1974, 1978 e 2010. Në fakt gjërat u duk sikur ndryshuan për mirë për portokallinjtë, që pas eliminimit të papritur në evropianin e fundit nga Republika Ceke dhe zëvendësimit të 51-vjecarit Frank de Boer pikërisht me trajnerin veteran.
Louis van Gaal pranoi timonin e kombëtares holandeze për herë të tretë në karrireë, këtë radhë madje vetëm katër ditë para se të festonte 70-vjetorin e tij dhe në fakt ekipi iu përgjigj në mënyrën më pozitive të mundshme, sepse pas barazimit të mirë të marrë në Stadiumin Ullevaal të Oslos ndaj Norvegjisë “tulipanët” fituan katër sfidat në vazhdim, duke i dominuar kundërshtarët e tyre të drejtpëdrejtë si në lojë ashtu edhe në rezultat, por për habinë e të gjithëve Oranje vuri gjithcka në dyshim në Podgoricë, në takimin e fundit, ku portokallinjtë shpërdoruan epërsinë e dy golave ndaj Malit të Zi, që klasifikohet në pozicionin e 73, pra plot 62 vende më poshtë në renditjen e përgjithshme të FIFA-s.
Golashënuesi më i mirë i Kontinentit Evropian përsa i përket sfidave kualifikuese për Katar 2022 Memphis Depay shënoi dy herë, duke u ngjitur në kuotën e 11 golave, por të vetëkënaqur futbollistët holandezë lëshuan ndjeshëm, duke e konsideruar të mbyllur përpara kohe takimin. Në mënyrë të pabesueshme “tulipanët” pësuan dy gola në 82’ e 86’ dhe tani holandezët rrezikojnë ndjeshëm, për t’u eliminuar që në fazën e grupeve.
Gjërat janë krejtësisht të qarta dhe për Oranjen nuk ka rrugë të mesme. Holanda natyrisht mbetet skuadra përfaqësuese favorite për të shkuar direkt në Katar, sepse përvec avantazhit të faktorit fushë në takimin përmbyllës vendasit do të kenë gjithashtu edhe luksin për të luajtur për dy rezultate. Skuadrës së drejtuar nga Louis van Gaal i mjafton praktikisht edhe barazimi për të garantuar pjesëmarrjen në kampionatin e ardhshëm botëror, për shkak të golaverazhit të shkëlqyer +23, që ka ekipi portokalli.
Vendasit kanë shënuar 31 gola dhe pësuar vetëm 8 gjithsej, pra vetëm Gjermania ka realizuar më tepër, ndërsa Turqia dhe Norvegjia ndjekin nga prapa, përkatësisht me golaverazhet 25-15 dhe 15-6.
Gjithçka është e qartë pra dhe për Holandën nuk ka rrugë të mesme, duke pasur parasysh që vendasit në takimin e fundit përballen pikërisht me një kundërshtar të drejtpërdrejtë sic është Norvegjia dhe në mënyrë të kuptueshme nëse skuadra nordike ia del për të triumfuar brenda në Stadiumin e Fejnordit atëherë do të jenë pikërisht “luanët” ata që do të kualifikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në Katar.
Turqia mendohet se do të përfitojë edhe nga lodhja e futbollistëve malazezë për të dalë me tre pikët nga Stadiumi i Podgoricës, kështu që në rast se Holanda thyhet në shtëpi atëherë për Oranjen nuk do të kishte vend as në fazën play off.
Në krahun tjetër ekipi nordik është përmirësuar ndjeshëm në këto eliminatore, falë punës së shkëlqyer të trajnerit Stale Solbakken dhe sulmuesit tepër të talentuar Erling Haaland, që ndonëse vetëm 21-vjecar ka shënuar 12 gola në 15 ndeshjet që ka zhvilluar me fanellën e përfaqësueses, 5 prej të cilëve pikërisht në sfidat kualifikuese të këtij grupi, por sidoqoftë Norvegjia e ndërlikoi shumë aventurën e sivjetshme me atë barazim pa gola në shtëpi ndaj Letonisë, që renditet e 136 në klasifikimin e FIFA-s, ndonëse në kryeqytetin e tyre vendasit tentuan plot 25 herë drejt portës së përfaqësueses balltike. Trajneri Solbakken nuk do të mund të mbështetet te Erling Haaland që mungon për arsye dëmtimi, por gjithsesi sulmuesi kryesor i ekipit nordik nuk ishte as në Stamboll ndaj Turqisë, ku Norvegjia e meritoi plotësisht barazimin 1-1, megjithatë miqtë që aktualisht mbajnë vendin e 37 në planet, madje dy pozicione më lart edhe se sa Turqia, kanë në dispozicion emra si Martin Odegaard, Mohamed Elyounoussi, Kristian Thorstvedt, Alexander Sorloth apo dhe Joshua King.
Holanda kryeson 9-5 bilancin e përgjithshëm të 21 përballjeve ndërmjet tyre, sidoqoftë “tulipanët” kanë humbur vetëm 1 nga 9 sfidat kompetitive mes këtyre dy vendeve, më saktë bëhet fjalë për takimin e 23 shtatorit të vitit 1992 kur në Stadion Ullevaal të Oslos vendasit triumfuan me shifrat 2-1 dhe golin e fitores e shënoi 12’ para fundit Goran Sorloth, pra pikërisht babai i sulmuesit aktual të përfaqësueses norvegjeze, që luan për momentin në Primera Division me ekipin kryesues të kampionatit spanjoll Real Sociedad.
Ajo disfatë afërsisht tre dekada më parë përfaqëson edhe rastin e fundit kur portokallinjtë janë mposhtur nga Norvegjia, për më tepër skuadra nordike nuk ka shënuar kurrë në Holandë, në portën e tulipanëve.
Në ndeshjet kompetitive Holanda krenohet me 3 fitore dhe 1 barazim në 4 sfidat ndërmjet tyre, me një golaverazh të përgjithshëm 14-0. Ndeshja Holandë – Norvegji do të zhvillohet në orën 20:45 në Roterdam dhe do të drejtohet nga kryesori francez Clement Turpin, ndërkohë po në të njëjtën orë në Podgoricë Turqia ka mundësinë për të siguruar fazën play off edhe me një barazim, falë fitores 6-0 ndaj ekipit modest të Gjibraltarit, që shërbeu për të përmirësuar golaverazhin.
Skuadra e drejtuar nga gjermani Stefan Kuntz që dy muaj më parë zëvendësoi trajnerin e famshëm turk Senol Gunes nuk do të ishte këtu pa atë përmbysje të madhe në Riga, ku kapiteni Burak Yilmaz shënoi në 99’, duke kompletuar një përmbysje të madhe ndaj Letonisë, që kryesonte 1-0 deri cerek ore para fundit.
Natyrisht gjërat mund të ishin shumë më ndryshe, nëse Turqia me Senol Gunes në timon nuk do të shpërdoronte avantazhin e dy golave në Stamboll si me Letoninë ashtu edhe me Malin e Zi, por gjithsesi në mënyrë të kuptueshme miqtë janë favoritë dhe e kanë vetë në dorë fatin për të shkuar në fazën play off.
Kjo është përballja e katërt ndërmjet këtyre dy vendeve. Dy sfidat e fundit ndërmjet Turqisë dhe Malit të Zi kanë përfunduar në barazim 2-2, ndërkaq triumfin e vetëm skuadra turke e ka regjistruar në përballjen e parë mes këtyre dy vendeve në vitin 2016, në qytetin e Antalias, në një takim miqësor, ku golin e fitores e shënoi Mehmet Topal në 90’ të ndeshjes./SuperSport/
Katari pezullon rolin ndërmjetësues për luftën në Gazë
Burimi planifikon që pas BBVK të punojë kamarier
PSG merr një fitore solide në udhëtim ndaj Angers
Las Vegasi mbulohet nga bora, qytetarët thonë se nuk kanë pa...
NATO i përgjigjet vendosjes së trupave të Koresë së Veriut n...
“T’ua humbim buxhetin djemve”, Gresa ia tregon planin Sarës