Google ADS

Gërvalla: Kosova ka pranuar kërcënime të hapura për luftë nga Serbia

19:44 | 15 Nëntor 2021
Përparim Bublaku

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla, ka marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të Evropës Juglindore në Bruksel, të ftuar nga kryediplomati grek Nikos Dendias.

Në takim Gërvalla ka thënë se Kosova ka pranuar kërcënime të hapura për luftë nga Serbia.

Sipas komunikatës së MPJD-së, thuhet Se Gërvalla ka thënë se pavarësisht rrethanave të vështira dhe klimës sfiduese politike në rajon, SEECP-ja duhet t’i përmbahet gjithmonë objektivit të vet themelor për rritjen e bashkëpunimit politik dhe të sigurisë si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e kapitalit njerëzor, demokracisë dhe drejtësisë.

Ajo ka ngritur çështjen e zhvillimeve të fundit në Kosovë e cila ka pranuar kërcënime të hapura për luftë nga shteti fqinj, Serbia.

Gërvalla ka njoftuar ministrat e jashtëm me kërcënimin e drejtpërdrejtë, që është manifestuar me prezencë të trupave dhe automjeteve të Serbisë në kufirin e Kosovës duke përfshirë edhe avionët luftarakë rusë, përkatësisht MIG 29. Për më tepër, ka theksuar se gjatë kësaj krize, ambasadori rus u paraqit në kufirin e Kosovës dhe i mirëpriti këto kërcënime e lëvizje agresive të Serbisë.

Duke folur për ndikimin rus dhe kinez përmes Serbisë në Ballkan, Gërvalla ka theksuar ndër të tjera se NATO dhe BE-ja nuk duhet ta tolerojnë qasjen agresive të Serbisë, përkatësisht të lidershipit aktual të saj.

Po ashtu gjatë fjalës së saj Gërvalla shprehu gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim efektiv në arritjen e rezultateve të planifikuara në kuadër të agjendës së SEECP-së./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme