Abdixhiku: Fitues është Kosova, fitues janë të gjithë

10:18 | 14 Nëntor 2021
arbresh.info

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka votuar në shkollën fillore “Faik Konica”, në Prishtinë.

“Sot është një ditë e veçantë për Kosovën, është ditë e demokracisë, ditë ku vendimmarrja kalon te qytetarët. Falënderoj të gjithë zyrtarët e zgjedhjeve që po kujdesen që kjo të jetë ditë e mirë. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë, e ky proces të ruaj standardin e lartë që e kemi ndërtuar tash e sa kohë, në këtë standard fitues është Kosova, fitues janë të gjithë”, deklaroi Abdixhiku.

Sot, 4 javë pas zgjedhjeve të 17 tetorit, mbahet raundi i dytë i Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.

Raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet në këto 21 komuna: Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamush dhe Kllokot.

Sipas listës përfundimtare të votuesve të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, numri i qytetarëve me të dretë vote në këto 21 komuna është: 1 milion e 260 mijë e 571 votues.

Numri i qendrave të votimit në këtë raund të dytë të zgjedhjeve është 575 me gjithsej 1,638 vendvotime./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme