Një rrogë mujore, dokumente të ndryshme dhe ditë pushimi iu deshën Fatmir Gashit nga Fushë Kosova, që të pajiset me vizë pune të shtetit të Gjermanisë.
Gashi, i cili punon në sektorin privat, u pajis me këtë vizë para tri ditësh dhe thotë se më e vështira ishte që të merrte ditë të lira pune.
“Në muajin shtator e kam bërë terminin. Në muajin tetor e kam dorëzuar (aplikimin për vizë) dhe para tri ditësh kam marr përgjigje. I kam ditur procedurat, kam paguar sigurim shëndetësor 142 euro për gjashtë muaj, formularët, fotografitë dhe përkthimet (kanë kushtuar) deri në 50 euro. Në ambasadë, për vizë kam paguar 72 euro dhe dhjetë euro për postë. Rroga mujore nuk më ka mjaftuar për këto shpenzime”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Ambasadat e vendeve të Bashkimit Evropian që janë në Kosovë, përfshirë ato të zonës Shengen, vazhdojnë të japin viza udhëtimi për qytetarët që synojnë bashkimin familjar, për biznese, punë, viza për studentë, turistike dhe për raste të caktuara urgjente.
Lulëzim Veseli, pronar i agjencisë turistike “Luli Travel” në Skenderaj, thotë se interesimi i qytetarëve për të caktuar termin në Ambasadën e Gjermanisë dhe atë të Zvicrës është jashtëzakonisht i madh. Sipas tij, një qytetar paguan mbi 200 euro për shërbimet për aplikim dhe rregullim të dokumenteve për të udhëtuar në Gjermani. Kjo vlerë është më e lartë për qytetarët që aplikojnë për vizë në shtetin e Zvicrës.
Veseli tregon se në shumicën e rasteve aplikimet refuzohen dhe qytetarët ankohen tek agjencitë e udhëtimeve.
“Pas përgjigjes negative për vizë, qytetarëve nuk u kthehen paratë për shërbime, përveç sigurimit shëndetësor. Ata vijnë te ne dhe ankohen”, thotë ai.
Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, që nuk ka ende liberalizim të vizave, pavarësisht përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
Liberalizimi i vizave Kosovës i është premtuar që nga viti 2011. Ndërkaq, në vitin 2018 Komisioni Evropian ka konsideruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe i ka rekomanduar shteteve anëtare të BE-së heqjen e regjimit të vizave. Liberalizimi është votuar edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.
Për procesin e liberalizimit të vizave, më 12 nëntor, anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës kanë mbajtur takim me ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Jorn Rohde.
Kryetari i këtij komisioni, Haki Abazi, pas takimit u shpreh se diskutimi me ambasadorin Rohde ishte i ndarë në disa fusha duke nisur nga liberalizimi i vizave, dialogu dhe bashkëpunimi i ndërsjellët i të dyja shteteve.
Sa i përket vizave, Abazi thotë se ambasadori gjerman ka thënë se përkushtimi i Gjermanisë është që ky proces të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Arsenali kërkon një transferim befasues në janar për yllin e...
Edi tregon se si humbi 50 mijë euro për ditëlindje
Ismaili pranon letër urimi nga guvernatori i Bankës së Angli...
Ambasadori italian takoi Tërnavën, diskutuan për tolerancë e...
Kurti: Investimi në fëmijë është investimi për një ardhme të...
Dhënia e gratit prej 100 mijë euro vëllait të deputetes së V...