Cakolli: Gjatë fushatës zgjedhore nuk u respektuan masat antiCOVID

11:42 | 13 Nëntor 2021
A. B.

Demokracia në Veprim do të ketë të angazhuar 90 vëzhgues të dielën, në komunat ku do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve.

Eugen Cakolli nga DnV në një konferencë për media, ka bërë një vlerësim të ecurisë së deritanishme të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave.

Cakolli tha se kandidatët për kryetar kanë kaluar nga fushata digjitale në tubime me qytetarë.

“Fushata zgjedhore ishte më shumë përmbyllje e fushatës, për shkak se nuk kanë ndërprerë aktivitetet pas shpalljes së rezultateve nga raundi i parë. Kanë kaluar nga fushata digjitale në tubime me qytetarë. Në organizimin e tubimeve nuk janë respektuar masat antiCOVID, mos bartja e maskës, dhe distancës janë evidentuar në secilin tubim të subjekteve politike”, deklaroi ai.

Cakolli pohoi tutje se programet e kandidatëve kanë qenë të njëjtat që janë prezantuar në raundin e parë.

Ai gjithashtu bëri thirrje që qytetarët të dalin dhe të votojnë ditën e nesërme.

“Nesër të dalin dhe të votojnë masivisht, duke kontribuuar në avancimin e demokracisë. DnV do të ketë 90 vëzhgues që do të jenë të shpërndarë të komunat ku do të ketë votime”, ka pohuar ai.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale mbahet nesër në 21 komuna.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme