Komisioni Qendror i Zgjedhjeve këtë të shtunë ka bërë shpërndarjen e materialit zgjedhor nëpër 21 komunat e vendit për zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën.
Ky material i rëndësisë së veçantë, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet, është shpërndarë nën përcjelljen e Policisë së Kosovës për në komunat ku mbahet raundi i dytë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se edhe në këto zgjedhje numri i fletëvotimeve të shtypura është më i ulët se numri i përgjithshëm i votuesve në këtë raund. Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto 21 komuna është: 1 milion e 260 mijë e 571 votues.
“Sipas vendimit të KQZ-së, numri i fletëvotimeve që janë shtypur për këtë raund është 1 milion e 136 mijë e 150 fletëvotime. Edhe për këto zgjedhje, janë shtypur më pak fletëvotime, rreth 10% apo rreth 125 mijë fletëvotime me pak se numri i përgjithshëm i votuesve të këtij raundi”, tha Elezi.
Elezi bëri të ditur se KQZ-ja përveç organizimit të votimit në 1,638 vendvotime, do të mundësojë edhe votimin e personave me nevoja dhe rrethana të veçanta si dhe të atyre të infektuar me Covid-19.
Sipas tij, KQZ-ja do të angazhojë 80 ekipe mobile vetëm për të mundësuar votimin e personave me nevoja të veçanta, të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkak të paaftësisë shëndetësore, fizike apo çfarëdo paaftësie tjetër.
“Numri i qytetarëve të regjistruar si votues me nevoja të veçanta është rreth 2,450, prej të cilëve 1,544 janë votues të cilët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për shkak të paaftësisë fizike apo shëndetësore, ndërsa 899 janë votues që janë në hospitalizim, në shtëpi të caktuar për të moshuar, të burgosurit dhe të paraburgosurit”, njoftoi ai.
Po ashtu, KQZ-ja do të angazhojë edhe 30 ekipe të tjera mobile për të mundësuar votimin e qytetarëve të infektuar me Covid-19.“30 ekipe mobile do të mundësojnë votimin e qytetarëve të cilët janë të infektuar me COVID-19 dhe që për shkak të masave kufizuese nuk mund të dalin nga izolimi për të votuar. Fatmirësisht, numri i rasteve aktive është i ulët dhe rrjedhimisht edhe i votuesve nga kjo kategori”, tha Elezi.
Të dielën mbahet raundi i dyti zgjedhjeve lokale, ku 42 kandidatë do të përballen në balotazh për të fituar mandatin e kryetarit.Fushata zgjedhore për garën e balotazhit ka zgjatur pesë ditë, nga 8 deri më 12 nëntor.Procesi i votimit do të mbahet në 66 % të vendvotimeve.Numri i qytetarëve me të drejtë vote në raundin e dytë, e që u takojnë këtyre 21 komunave, është 1,260,571.
Qendrat e votimit do të hapen nesër duke filluar nga ora 07:00 dhe do të jenë të hapura për qytetarët deri në ora 19:00.Komunat dhe kandidatët që do të garojnë në rundin e dytë të dielën:Në Komunën e Drenasit do të ketë balotazh mes Ramiz Lladrovcit të PDK-së me 45.50 për qind të votave dhe Driton Ajazit nga Demokratët për Drenasin me 30.50 për qind të votave.
Në Gjilan do të garojnë Lutfi Haziri nga LDK-ja që mori 43.51 për qind të votave dhe Alban Hyseni nga LVV-ja që mori 44.71 për qind të votave.Komuna e Gjakovës do të garojnë në balotazh Ardian Gjini i AAK-së me 45.76 për qind të votave dhe Mimoza Kusari-Lila e LVV-së me 37.20 për qind të votave.Komuna e Kaçanikut do të ketë garë mes Besim Ilazit nga PDK-ja me 44.67 për qind të votave dhe Jeton Rakës nga LVV-ja me 33.36 për qind të votave.
Dragashi në balotazh do ta ketë Bexhet Xheladinin nga LDK-ja që mori 35.69 për qind të votave dhe Shaban Shabanin nga PDK-ja që mblodhi 32.56 për qind të votave.Burim Berisha i LDK-së me 49.72 për qind të votave dhe Enver Bajçinca nga LVV-ja me 25.58 për qind të votave, do të jenë në balotazh për Fushë Kosovën.
Në Istog në balotazh do të jenë Ilir Ferati i LDK-së me 41.09 për qind të votave të fituara dhe Bekë Berisha nga AAK-ja me 24.49 për qind të votave.
Balotazhi në komunën e Obiliqit zhvillohet ndërmjet Xhafer Gashit nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin me 48.12 për qind të votave dhe Halil Thaçit të LVV-së me 20.19 për qind të votave.
Në komunën e Klinës në balotazh janë Zenun Elezaj nga AAK-ja me 43.33 për qind të votave dhe Esat Raci nga PDK-ja me 27.42 për qind të votave.Në Kamenicë në balotazh shkojnë Qëndron Kastrati nga PSD-ja me 32.52 për qind të votave dhe Kadri Rahimaj nga LVV-ja me 31.01 për qind të votave.
Në balotazh në Rahovec do të jenë Smajl Latifi i AAK-së me 47.18 për qind të votave dhe Visar Korenica i LVV-së me 24.84 për qind të votave.
Në Komunën e Podujevës gara në balotazh zhvillohet Ekrem Hysenit të LDK-së me 44.20 për qind të votave dhe Shpejtim Bulliqit të LVV-së me 44.16 për qind të votave.
Gara e balotazhit në Prishtinë zhvillohet ndërmjet Arben Vitisë së LVV-së me 45.54 për qind të votave dhe Përparim Ramës së LDK-së me 29.17 për qind të votave.Në Viti në balotazh janë Sokol Haliti i LDK-së me 41.30 për qind të votave dhe Arsim Ademi i LVV-së me 34.50 për qind të votave.Në Prizren në balotazh takohen Mytaher Haskuka i LVV-së me 40.41 për qind të votave dhe Shaqir Totaj nga PDK-ja me 31.36 për qind të votave.
Komuna e Junikut në balotazh do të ketë Agron Kuçin nga AAK-ja me 45.19 për qind të votave dhe Ruzhdi Shehun të LDK-së me 42.01 për qind të votave.Në Komunën e Malishevës gara e balotazhit zhvillohet mes Ekrem Kastratit nga Nisma Socialdemokrate me 34.08 për qind të votave dhe Isni Kilajt të PDK-së me 28.82 për qind të votave.
Në Vushtrri në balotazh janë Ferit Idrizi i PDK-së me 10 247 vota ose 34.81 për qind, dhe Xhafer Tahiri i LDK-së me 9 956 vota ose 33.82 për qind.Në Shtime në balotazh garojnë Qemajl Aliu i VV-së me 45.29 për qind të votave dhe Naim Ismajli i PDK-së me 44.23 për qind të votave.
Gara në balotazh në Kllokot zhvillohet mes Vladan Bogdanoviqit nga Lista Serbe me 41.01 për qind të votave dhe Strahinja Spasiq nga Gi Srpska Narodna Sloga me 36.33 për qind të votave.
Ndërsa në Komunën e Mamushës në balotazh janë Abdulhadi Krasniqi nga Kosova Demokratik Turk Partisi me 48.92 për qind të votave dhe Arif Butuqi nga Kosova Adalet Turk Partisi me 36.95 për qind të votave.
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...
Ukraina thotë se goditi një depo nafte dhe objektiva të tjer...
Lushtaku viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Do të kthehen ...