Në Tiranë u publikua sot një studim i thelluar mbi Gjuhën e urrejtjes, fryt i i bashkëpunimit midis Komisionerit kundër Diskriminimit, Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës.
Sipas studimit, afro 60 për qind e të anketuarve mendojnë se gjuha e urrejtjes mbizotëron masivisht në vend.
Madje, në grupe më të ndjeshme prej diskriminimit, nëntë nga dhjetë të anketuar mendojnë se gjuha e urrejtjes është shumë e përhapur.
Studimi i publikuar sot bazohet në reagimet e mbi 1 mijë e 800 personave të anketuar dhe sjell të dhëna në nivel kombëtar për situatën e gjuhës së urrejtjes, perceptimet, përvojat dhe besimin në institucionet që duhet të merren me gjuhën e urrejtjes. Sipas studimit, afro 96 për qind e njohin gjuhën e urrejtjes.
Pjesa më e madhe e tyre, afro 70 për qind, pohuan se programet më të zakonshme televizive që përhapin më shpesh gjuhë të urrejtjes janë debatet politike dhe më pak shfaqjet e realitetit.
Më shumë se gjysma e të anketuarve mendojnë që motivet më të zakonshme që ngacmojnë gjuhën e urrejtjes janë varfëria, statusi social, opinioni politik dhe paraqitja fizike.
Gra janë ato që mendojnë më shumë se gjuha e urrejtjes nxitet nga paraqitja fizike, ndërsa burrat mendojnë se gjuha e urrejtjes nxitet më shumë nga opinioni politik.
Afro gjysma e të anketuarve mendojnë se etnia dhe raca janë dy motivet kryesore që nxisin gjuhën e urrejtjes.
Rezultatet e studimit nxjerrin në pah se në radhët e komunitetit LGTBIQ mendojnë gjerësisht që fobia ndaj tyre është motivi më i zakonshëm që nxit gjuhën e urrejtjes.
Një tjetër formë e gjuhës së urrejtjes shihet nga studimi edhe njollosja e reputacionit të mirë të dikujt, pasuar nga nxitja e urrejtjes dhe sharjet ose fyerjet etnike.
Sharjet etnike, nxitja e urrejtjes dhe shakatë për pakicat etnike perceptohen masivisht afro në 70 për qind, si forma të gjuhës së urrejtjes.
“Gjuha e urrejtjes përdoret më së shumti në media sociale, shkolla, universitete dhe vendet e punës. Më shumë se gjysma e të anketuarve pohojnë se kanë reaguar me veprime, kur kanë qenë dëshmitarë të gjuhës së urrejtjes ndaj dikujt tjetër. Aleanca kundër urrejtjes ka shumë punë për të bërë në Shqipëri” – thotë Robert Gajda, komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Afro 60 % e të anketuarve nga grupet në nevojë e kanë përjetuar personalisht gjuhën e urrejtjes dhe po aq kanë dëgjuar për të tjerë që e kanë përjetuar.
Pra, grupet në nevojë janë më aktive për të ndërmarrë veprime në rast se janë dëshmitarë të ndonjë situate me gjuhë të urrejtjes në krahasim me popullatën e përgjithshme.
“Një aleancë kundër gjuhës së urrejtjes është ngritur dhe po punon në dy drejtime: anti-diskriminimi dhe liria e shprehjes. Puna nisi me largimin e gjuhës së urrejtes nga fushata zgjedhore dhe tani po vazhdon me shmangien nga rrjetet sociale dhe jeta e përditshme” – thotë Jutta Gutzkow, kreu i Zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri.
Të anketuarit nga radhët e rinisë përjetojnë gjuhë të urrejtjes online në krahasim me të anketuarit më të moshuar.
Studimi tregon se vetëm 20 për qind nuk i janë ekspozuar ndonjëherë gjuhës së urrejtjes online.
Afro 30 për qind e qytetarëve kanë përjetuar disa herë dhe 32 për qind të tjerë deklaruan se e kanë përjetuar shpesh.
Kjo kategori është mjaft e lartë në grupin LGTBIQ saqë gjysma e tyre deklarojnë se i janë ekspozuar gjuhës së urrejtjes online.
“Është përgjegjësi e të gjithëve ne, që të luftojmë fjalimet e urrejtjes, sepse jetojmë në një shoqëri demokratike me përgjegjësi qytetare për këdo. Aleanca kundër gjuhës së urrejtjes po bën një punë të mirë sa u takon veprimtarisë së medias, politikës, parlamentit. Gjuha e urrejtjes ekziston kudo në Europë, jo vetëm në Shqipëri, por Tirana duhet të bëjë pjesën e saj, përballë treguesve shqetësues që sjell studimi” – thotë Lenka Vitkova, përfaqësuese e Delegacionit të Bashkimit Europian.
Më shumë se gjysma e të dëmtuarve nga gjuha e urrejtjes shohin më së shumti familjen dhe miqtë si mjete kryesore për të kërkuar ndihmë, dhe më pas shkojnë tek mjeku, psikologu dhe policia, shoqatat e shoqërisë civile.
Afro 70 për qind e personave të shënjestruar nga gjuha e urrejtjes vuajnë nga ankthi dhe depresioni, humbja e vetëbesimit.
Pjesa dërrmuese e të anketuarve mendojnë që ky nivel i lartë i gjuhës së urrejtjes ka qenë i pranishëm gjithëmonë, por vetëm një në dhjetë thotë se është pandemia e COVID-19 ajo që e ka shtuar gjuhën e urrejtjes./ VOA
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...