Pandemia falimentoi 1500 biznese, numri i të punësuarve ra me 5,2% më 2020

01:14 | 12 Nëntor 2021
Trina Galanxhi

Pandemia Covid-19 e cila nisi si një krizë shëndetësore e ndikoi negativisht ekonominë të gjitha drejtimet dhe sidomos punësimit, shitjet dhe ecurinë e bizneseve.

INSTAT raportoi sot nëpërmjet Anketës Paraprake Strukturore të ndërmarrjeve se gjatë vitit 2020 kanë falimentuar mbi 1500 biznese, teksa numri i përgjithshëm i bizneseve në vend ra me 1.5% dhe numri i të punësuarve ra gjithashtu me 5.2%.

Gjatë vitit të kaluar, ndërmarrjet në aktivitetet e prodhimit të të mirave dhe shërbimeve realizuan 2.147 miliardë lekë shitje neto, duke shënuar një rënie me 5,1 %, krahasuar me vitin 2019.

Bazuar në rezultatet paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, kontributin më të madh në rënien prej 5,1 % të shitjeve neto e dhanë prodhuesit e shërbimeve me -3,1 pikë përqindje, të ndjekur nga prodhuesit e të mirave me -2,0 pikë përqindje.

Gjatë vitit 2020, sektori i tregtisë zuri peshën më të lartë të shitjeve neto me 48,0 %, i ndjekur nga sektori i ndërtimit me 12,0 %. Sektorët me peshën më të vogël ishin sektori i industrisë nxjerrëse (2,3 %) dhe sektori i akomodimit dhe restoranteve (2,5 %).

Në uljen e numrit të ndërmarrjeve aktive, prodhuesit e shërbimeve kontribuuan negativisht me 0,8 pikë përqindje dhe prodhuesit e të mirave me 0,7 pikë përqindje.

Sektori me numrin më të madh të ndërmarrjeve ishte tregtia (39,6 %) i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera (23,8 %) dhe sektori i akomodimit dhe restoranteve (16,4 %).

Gjatë 2020, sektori i i energjisë elektrike dhe ujit pati numrin më të vogël të ndërmarrjeve aktive të cilat zunë 0,6 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej.

Në rënien prej 5,2 % të punësimit, prodhuesit e shërbimeve dhanë kontributin më të madh me -3,8 pikë përqindje, ndërsa prodhuesit e të mirave kontribuuan me -1,4 pikë përqindje. Sektorët me peshën më të lartë të punësimit për vitin 2020 ishin sektori i tregtisë me 25,5 % të punësimit dhe sektori i shërbimeve të tjera (arsimi dhe shëndetësia private, shërbime administrative, profesionale, shkencore dhe teknike, etj.) me 20,5 %, të ndjekura nga sektori i industrisë përpunuese me 19,8 % të të punësuarve gjithsej.

Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, në vitin 2020, ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar edhe pse përbëjnë vetëm 1,3 % të ndërmarrjeve aktive kanë dhënë kontributin kryesor në ekonomi duke realizuar 40,8 % të të punësuarve gjithsej dhe 46,2 % të shitjeve neto.

Ndërmarrjet me 1-4 të punësuar kanë kontributin më të madh të shitjeve neto me +0,3 pikë përqindje, ndërsa ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar kontribuuan negativisht me 3,0 pikë përqindje në ndryshimin vjetor gjithsej të shitjeve neto.

Në prodhuesit e të mirave, numri i ndërmarrje ka pësuar rënie me 5,3 %, krahasuar me vitin 2019, numri i të punësuarve ka rënë me 3,9 % dhe shitjet neto kanë rënë me 6,1 %. Gjatë vitit 2020, ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar zunë 5,7 % të ndërmarrjeve prodhuese të të mirave. Numri i të punësuarve në këtë grup ishte 62,0 % ndërsa shitjet neto të realizuara ishin 63,6 %. Ndërmarrjet në grupin me 1-4 të punësuar përfaqësuan 64,2 % të ndërmarrjeve të prodhuesve të të mirave dhe punësuan 8,4 % të të punësuarve. Ky grup ndërmarrjesh realizoi 8,1 % të shitjeve neto.

Në prodhuesit e shërbimeve, numri i ndërmarrjeve ka pësuar rënie me 0,9 %, krahasuar me vitin 2019, numri i të punësuarve ka shënuar rënie me 6.0 % dhe shitjet neto kanë rënë me 4,7 %.

Gjatë vitit 2020, ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar përbënë 0,7 % të ndërmarrjeve aktive në prodhuesit e shërbimeve dhe realizuan 37,9 % të shitjeve neto. Ndërmarrjet në grupin me 1-4 të punësuar përfaqësuan 88,9 % të ndërmarrjeve aktive dhe punësuan 38,7 % të të punësuarve të prodhuesve të shërbimeve. Ky grup ndërmarrjesh realizoi 16,8 % të shitjeve neto./Monitor

Të ngjashme