Përfundon seanca e sotme në rastin Mustafa, vazhdon nesër dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë

17:08 | 10 Nëntor 2021
Arditë Shkodra

Ka përfuduar seanca e sotme në rastin e ish-komandantit Cali, Salih Mustafa.

Gjatë ditë së sotme është bërë dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë me kodin W04669, raporton arbresh.info

Në vazhdën e seancën ku prokurori po intervistonte dëshmitarin e mbrojtur, e ka pyetur atë se pse kishte ndërruar deklaratat, pasi që në deklaratën e tij të dhënë për prokurorinë vitin e kaluar nuk e kishte përmendur askund se ishin dy Cala kurse tani në deklaratën e sotme përmendi faktin se ishin dy njerëz me nofkën Cali.

Pyetje dhe përgjigje në mënyrë kronologjike sa i përket çështjes së lartpërmendur.

Prokurori: Në deklaratën e dhënë për ZPS nuk e keni përmendur kurrë ekzistencën e dy Calave, pra ajo që dim ne nga kjo çështje gjyqësore dhe nga literatura dhe provat tjera, nuk del që ishin dy Cal tjetër, që ishte anëtar i kësaj njësie, dhe këtë ti nuk e ke thënë as në deklaratën tuaj dhe prandaj deshta të sqaroj se cila ishte e vërteta, gjykatësit duhet ta din se çka ka ndodhur. Pse nuk e ke përmendur në deklaratën tënde në atë faqe që të lexova, ekzistencën e dy Calave, pra ke folur për një Cal.

Dëshmitari: Në atë kohë nuk e kam ditur, unë e thash diçka që e kam ditur më vonë, që me jau shpjeguar juve, është e vërtetë ajo, deklarata e parë edhe e dyta është e vërtetë, por për të dytën unë e tregova se më vonë e kam kuptuar që ishin dy Cala, shumë më vonë.

Prokurori: Po flas për deklaratën që e keni para vetes, e cila është dhënë vitin që shkoi, pra e kuptoj drejt që ti e ke e kuptuar për dy Cala mbas intervistës që është bërë vitin e kaluar?

Dëshmitari: Plotësisht e vërtetë është, unë e kam mësuar mbas deklaratës së parë të dhënë se ekzistonin dy Cala.

Pas kësaj seanca ka vazhduar edhe për disa minuta, më vonë u kalua në seancë private, e menjëherë pas kthimit në seancë publike, kryetarja e trupit gjykues njoftoi se për sot seanca mbyllet, për të vazhduar nesër me dëgjimin e dëshmitarit, prej orës 09:30.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.

Në aktakuzën e konfirmuar ndaj Salih Mustafës, thuhet se ai  akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt./ArditëShkodra/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme