Google ADS

Trendafilova thoshte se paraburgimi nuk mund të zgjaste më shumë se një vit| Pse po mbahen ish-krerët e UÇK-së në Hagë?

08:10 | 10 Nëntor 2021
Arditë Shkodra

Arditë Shkodra

E premte, 05 nëntor është data kur u bë një vit prej kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u transferuan në qendrën e paraburgimit në Hagë të Holandës.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Ekaterina Trendafilova dy vjet më parë, kur ishte në Kosovë e pati shpjeguar këtë çështje bazuar në rregullat e DHSK-së.

Trendafilova kishte bërë të ditur se rregullat e procedurës nuk lejojnë që paraburgimi të zgjat më shumë se një vit për të akuzuarit, përpos në rrethana të jashtëzakonshme.

“Andaj kemi ardhur në përfundim se paraburgimi nuk mund të zgjatë më shumë se një vit. Duhet të shqyrtohet vetëm në rrethana shumë të jashtëzakonshme do të mund të zgjatet, andaj është me rëndësi që çdo dy muaj, po muaj, paraburgimi duhet të shqyrtohet”, kishte thënë Trendafilova në një intervistë për një medium kosovar.

Ajo e kishte potencuar edhe një fakt si tejet të rëndësishëm, se nëse vonesat ndodhin si pasojë e performancës së dobët nga prokurorët atëherë të akuzuarit mund të lirohen.

“Po ashtu duhet t’u referohemi edhe vonesave gjatë procesit që në fakt shkelin edhe një të drejtë fundamentale të njeriut. Personat duhet të procedohen pa vonesa dhe më pas nëse këto vonesa ndodhin për arsye të përformamcës së dobët nga prokurorët, atëherë personi mund të lirohet e madje edhe procesi të përfundohet, që është propozim shumë i rëndësishëm”, pati deklaruar Trendafillova.

Pavarësisht këtyre deklaratave, të lartpërmendurit vazhdojnë të qëndrojnë në objektin e paraburgimit në Hagë.

E njohës të çështjeve të drejtësisë po e shohin këtë çështje nga dy kënde të ndryshme.

Avokati Arbër Jashri e sheh si jo logjikë mbajtjen në paraburgim të ish-krerëve të UÇK-së, kurse Medina Kadriu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), e sheh si të arsyeshëm vendimin për vazhdimin e paraburgimit, pasi që konsideron se ka bazë ligjore.

Avokati Arbër Jashari në një përgjigje për arbresh.info thotë se të drejtat e Thaçit dhe të tjerëve po shkelen brutalisht.

“Konsideroj se të drejtat e shtetasit Hashim Thaqi dhe të akuzuarve tjerë për krime lufte në Hagë po shkelen brutalisht”, tha Jashari.

Ai konsideron se caktimi për vazhdimin e paraburgimit ndaj tyre bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me Kodin Penal të Republikës së Kosovës si dhe me vet Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Caktimi dhe vazhdimi i paraburgimit ndaj tyre është një paradoks juridik, i cili qartazi bie ndesh me  nenin 29 paragrafi 2 të Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nenin 5 dhe 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nenin 173 paragrafi 2  dhe 185 paragrafi 2 të  Kodin Penal të Republikës së Kosovës, si dhe me vet Ligjin për Dhomat e Specializuara”, thotë ai.

Jashari sqaron se të gjitha këto akte obligojnë që masa e paraburgimit të jetë mjeti i fundit që siguron për praninë e të pandehurit në procedurë penale.

“Të gjitha këto akte obligojnë që masa e paraburgimit është mjeti i fundit për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale dhe duhet të reduktohet në kohë sa më të shkurtër të mundshme”, deklaroi Jashari.

Andaj sipas Jasharit nuk ka logjikë juridike që arsyeton këtë masë në raport me të akuzuarit në fjalë.

“Ku është logjike juridike, që e arsyeton këtë masë në raport më të akuzuarit në fjalë, kur dihet se hetimet janë zhvilluar, aktakuza është ngritur dhe konfirmuar, dëshmitarët dhe   provat tjera janë siguruar, ndërsa të akuzuarit në kulmin e pushtetit dhe fuqisë se tyre politike, i janë dorëzuar Gjykatës, pa më të voglën përpjekje për të ikur ose arratisur.  Pse duhet ta bëjnë tani këtë”. Potencioi ndër të tjera avokati Jashari.

Medina Kadriu, hulumtuese në IKD për arbresh.info ka sqaruar se me rregullin 57 të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara parashihet se para caktimit të gjykatësit të procedurës paraprake bazuar në nenin 33(1) (a) të Ligjit, paraburgimi nuk mund të zgjatë më shumë se një vit. Dhe nëse ende pas kësaj periudhe nuk është caktuar gjykatësi i procedurës paraprake, atëherë i dyshuari, ose të dyshuarit lirohen.

“Rregulla 57 e Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara ka paraparë  që para caktimit të gjykatësit të procedurës paraprake sipas nenit 33(1)(a) të Ligjit, paraburgimi sipas kësaj dispozite nuk mund të zgjasë më shumë se një vit. Me përfundimin e kësaj periudhe, nëse gjykatësi i procedurës paraprake ende nuk është caktuar, i dyshuari lirohet nga paraburgimi”, tha Kadriu.

Ajo mendon krejt ndryshe prej Jasharit, sa i përket caktimit të vazhdimit të paraburgimit.

Kadriu këtë e arsyeton duke u bazuar në të njëjtën rregull të lartëpërmendur, dhe në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, në nenin 41.

“Mirëpo, po ashtu sipas kësaj rregulle, pas caktimit të gjykatësit të procedurës paraprake sipas nenit 33(1)(a) të Ligjit dhe deri kur aktgjykimi të marrë formë të prerë, paneli i angazhuar me çështjen vlerëson vendimin mbi mbajtjen në paraburgim, pasi të kenë kaluar dy (2) muaj nga vendimi i fundit në lidhje me paraburgimin. Edhe Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, në nenin 41, ka paraparë të njëjtën gjë”, thotë Kadriu.

Tutje ajo shpjegon se pasi që veç është caktuar gjykatësi i procedurës paraprake në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, kufizimi njëvjeçar i paraburgimit për të cilin kishte deklaruar Trëndafilovë, nuk vlen më.

“Duke qenë se në rastin konkret të ish-krerëve të UÇK-së veçse është caktuar gjyqtari i procedurës paraprake, nuk vlen kufizimi njëvjeçar i paraburgimit për të cilin ka deklaruar Trëndafilova. Prandaj, konform Rregullores dhe Ligjit, paraburgimi në këtë rast mund të vazhdohet përtej kufizimit njëvjeçar, nëse vazhdojnë të ekzistojnë kushtet për të cilat është caktuar paraburgimi”, deklaroi Kadriu nga IKD.

Kujtojmë që Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) apo Gjykata Speciale u themelua në bazë të një marrëveshje ndërkombëtare të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, më 03 gusht 2015, një amendament kushtetues, si dhe në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Pro themelimit të Gjykatës Speciale apo Dhomave të Specializuara votuan 82 deputetë, 5 ishin kundër dhe një abstenoi.

Krejt kjo erdhi pasi Task Forca Hulumtuese Speciale e Bashkimit Evropian në korrik të vitit 2014 publikoi rezultatet e hetimit të saj trevjeçar mbi akuzat e bëra nga raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, i cili atëkohë pretendonte se krime kundër civilëve si dhe për shembull rrëmbim, torturim dhe trafikim organesh janë kryer nga pjesëtarët e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë./ArditëShkodra/arbresh.info/

Të ngjashme