Një ish-marins amerikan që po vuan një dënim me nëntë vjet burg në Rusi ka filluar një grevë urie, duke protestuar kundër burgosjes dhe shkeljeve të të drejtave të tij, beri të ditur familja e amerikanit të burgosur. Autoritetet ruse të burgut i hodhën poshtë deklaratat e tij.
Trevor Reed, student nga Teksasi, u dënua vitin e kaluar i akuzuar se kishte vënë nën rrezik jetën e dy policëve në Moskë ndërsa ishte në gjendje të dehur. Ai shkoi në Rusi në vitin 2019 si vizitor. Zoti Reed i ka hedhur poshtë akuzat ndërsa Uashingtoni e quajti gjyqin “një teatër absurd”.
“Jemi njoftuar nga një avokat se Trevor ka filluar një grevë urie për të protestuar kundër ndalimit të tij arbitrar dhe shkeljeve të shumta dhe flagrante nga autoritetet ruse të të drejtave që ai gëzon”, thuhej në një deklaratë të familjes së tij e cila u bë publike mbrëmjen e së hënës.
Autoritetet rajonale të burgut në Mordovia, ku po mbahet zoti Reed, hodhën poshtë komentet se atij po i mohoheshin të drejtat apo se ai ishte futur në grevë urie. “Ai po ushqetet në përputhje me orarin ditor”, thanë autoritetet ruse në një deklaratë për agjencinë e lajmeve Reuters.
Familja e zotit Reed tha se ai po mbahet në një qeli të vogël me një vrimë në dysheme që shërben si banjo dhe se ai nuk ishte lejuar të flasë me prindërit prej 116 ditësh. Ata thanë se ai nuk po lejohej të marrë libra apo letra që i dërgohen me postë.
Ambasada amerikane nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Kremlini nuk ka pranuar të komentojë.
Sipas disa njoftimeve Paul Whelan, një shtetas amerikan i cili ndodhet i burgosur në Rusi nën akuza për spiunazh dhe Trevor Reed janë kandidatë të mundshëm për shkëmbim të burgosurish mes Moskës dhe Uashingtonit. Zoti Whelan i ka hedhur poshtë akuzat.
Avokati i zotit Whelan i tha agjencisë së lajmeve Reuters të hënën se ka patur bisedime për një marrëveshje në lidhje me klientin e tij, por se ato kishin ngecur.
Familja e zotit Reed tha në deklaratën e saj se ishte takuar muajin e kaluar me zyrtarë në Uashington dhe u kishte kërkuar atyre që të arrinin një marrëveshje me Rusinë për shkëmbimin e të burgosurve.
Sipas mediave ruse, Konstantin Yaroshenko, një pilot që po vuan një dënim me 20 vjet burg për konspiracion për synimin për të kontrabanduar kokainë dhe Viktor Bout, një trafikant rus armësh që vuan një dënim me 25 vjet burg, janë kandidatë të mundshëm për marrëveshjen në fjalë./VoA/
Tahiri: Arbërien e “Pambukut dhe Kullashkut” vështirë se mun...
Bedri Hamza merr mbështetje nga Taulant Xhaka
”Nëse e nxen përpara, ta jap dorën!”, Edi e Driloni në betej...
Kica-Xhelili i reagon Kurtit: Doracakët i keni miratuar e sh...
Mevlani flet për videon e ish-të dashurës: Ka qenë e tepruar...
Panairi i Librit ul siparin, Tom Kuka shpallet autori më i m...