Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se takimi me anëtarin serb të presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik ka qenë produktiv dhe se “është hapur mundësia që të tërhiqen vendimet e marra që kanë të bëjnë me bartjen e kompetencave në mënyrë që të vazhdojnë bisedimet për zhvillimin ekonomik”.
Gjatë ditës (8 nëntor), Escobar bisedoi në takime të veçanta me anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegvoinës, Zhelko Komshiq, Shefik Xhaferoviq dhe Millorad Dodik.
“Të gjithë jemi dakord që nuk do të ketë luftë dhe mendoj se ky është mesazhi më i rëndësishëm. Nuk është një mesazh që do ta dëgjoni vetëm nga ata liderë që takova sot, është një mesazh që do ta dëgjoni edhe nga liderët e rajonit”, tha Escobar.
Ai tha gjithashtu tha se ishte “plotësisht i bindur se Evropa do ta kuptojë”, në një periudhë të arsyeshme kohore, se Bosnje dhe Hercegovina duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Sigurisht, kam biseduar për të gjitha këto tema, por është gjithashtu shumë e rëndësishme të theksohet se ajo që duhet të sigurojmë është që Bosnje dhe Hercegovina të mbetet e bashkuar, sovrane dhe me integritet territorial”, shtoi Escobar.
Më herët anëtari i Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik tha se tashmë është e qartë se nuk ka asnjë bazë reale për konflikt në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Është e qartë, në asnjë moment unë dhe askush nuk e ka përmendur luftën si mundësi. Ne jemi dakord që stabiliteti dhe paqja duhet të ruhen”, tha Dodik pas takimit në Sarajevë më 8 nëntor me Zëvendësndihmës-Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Dodik tha se zyrtarit amerikan i duken zhgënjyese lëvizjet e Republika Sërpskës, por se pavarësisht kësaj, “Republika Sërpska do të vazhdojë të transferojë kompetencat nga niveli shtetëror”.
Millorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnjës, së fundmi ka kërcënuar me largim të Republikës Sërpska nga institucionet kombëtare, siç është autoriteti i taksave, agjencia për ilaçe dhe nga ushtria.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, në prag të vizitës në Bosnjë dhe Hercegovinë, Escobar ka thënë se do të fliste me ambasadorin e SHBA-së në Sarajevë, para se të shpallte sanksionet e mundshme për cenim të marrëveshjes së Dejtonit, pa specifikuar se cilat sanksione mund të ishin një fjalë.
“Unë tashmë jam subjekt i sanksioneve amerikane. Ne nuk folëm për sanksione”, theksoi Dodik.
Dodik tha se e ka informuar zyrtarin amerikan për “qëllimet tona për veprime kushtetuese dhe se ato nuk kishim qëllim të cenonim integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës”.
“Nuk kisha nevojë të arsyetohesha. Ne kemi thënë se po përgatisnim dokumente për gjërat themelore. Do të tërhiqnim pëlqimin tonë për Forcat e Armatosura të Bosnjës, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial dhe Autoritetin e Taksave në gjashtë muajt e ardhshëm. Republika Sërpska do të vazhdojë të kujdeset për veten, kjo është e vetmja mënyrë për të ruajtur Bosnjën dhe Hercegovinën”, tha Dodik.
Sipas Kushtetutës së Bosnje dhe Hercegovinës (BiH), entitetet e Republikës Sërpska dhe Federata e Bosnje dhe Hercegovinës nuk mund t’i kthejnë në mënyrë të pavarur kompetencat që i janë transferuar shtetit në periudhën e mëparshme.
Zyrtari i lartë amerikan gjatë ditës ka takuar edhe dy anëtarët tjerë të Presidencës trepalëshe të Bosnjës.
Ndryshimi i kufijve që janë përcaktuar me Marrëveshjen e Dejtonit nuk do të jetë i pranueshëm për Shtetet e Bashkuara, tha anëtari i presidencës, Zhelko Komshiq, pas takimit me Escobar.
“Vlerësimi i Escobar është që gjithçka që po ndodhë në Bosnje dhe Hercegovinë është një krizë artificiale dhe nuk ka asnjë bazë reale. Shtetet e Bashkuara mbështesin anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Komshiq.
Komshiq shtoi se në takim nuk është diskutuar për sanksione të mundshme ndaj politikanëve të caktuar në Bosnje, por bisedimet janë përqendruar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit.
“Ne gjithmonë do të kemi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për procese të tilla”, tha Komshiq.
Anëtari tjetër i presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq tha të hënën (8 nëntor) pas takimit me Eskobarin se u diskutua për vazhdimin e rrugës evropiane të vendit.
“Është e nevojshme që vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë ekonomikisht në tregun ekonomik rajonal, në kuadër të Procesit të Berlinit, nën kujdesin e Bashkimit Evropian”, tha Xhaferoviq.
Ai tha se e kishte informuar Escobarin se ishte e papranueshme që institucionet shtetërore të bllokoheshin, pasi autoritetet e Republikës Srpskës kishin bojkotuar punën e tyre që nga korriku, kur ish-Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje, Valentin Inzko imponoi ndryshime në ligjin penal që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimet e luftës.
Në njoftimin për vizitën e Escobarit, ambasada e SHBA-së tha se Escobar do të qëndrojë në Bosnje për të “përsëritur mbështetjen e SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës”./Rel/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...