Gjykata merr vendim për 23-vjeçaren që dyshohet se tentoi ta vrasë të dashurin në Ferizaj

16:18 | 7 Nëntor 2021
F.T

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të këtij rajoni, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër 23-vjeçares me inicialet E.H., e dyshuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se e pandehura më 5 nëntor 2021, në Ferizaj, me dashje dhe përgatitje paraprake, ka tentuar që ta privojë nga jeta të dashurin e saj me inicialet P.A, transmeton arbresh.info.

Sipas gjykatës, pas një mosmarrëveshje që kishin pasur mes vete, E.H., kishte nxjerrë një thikë, të cilën paraprakisht e kishte marrë me vete nga shtëpia e saj dhe me të njëjtën e kishte goditur të dëmtuarin një herë në pjesën e abdomenit, duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka i njëjti më pas detyrohet të kërkojë ndihmën mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurës e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtës i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaj”, thuhet në kumtesën e kësaj gjykate. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme