Rama: Askund nuk flitet për idenë e Kurtit për rimodelimin e CEFTA-s në SEFTA

18:15 | 6 Nëntor 2021
S D

Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka thënë se nuk duhet humbur kohë për të diskutuar lidhur me idenë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për rimodelimin e CEFTA-s në SEFTA. Ai në një intervistë për “News24”, tha se këto ide janë legjitime por që nuk shihet me interes në asnjërën nga tryezat ku merren vendime të mëdha.

Rama deklaroi se askush nuk duhet që ta përdorë fuqinë e popullit për të hyrë në rrugë ku është vetëm dhe pa mbështetje.

“Këto janë ide që absolutisht janë legjitime që mund të konsultohen por që janë humbje kohe, për sa kohë që askush nuk i shef me interes në tryezat me vendime që do të thotë në Bruksel, në Berlin, në Paris, në Uashington kështu që për çfarë të humbasim kohën. Gjithkush është në të drejtën e tij që ta përdorë fuqinë që i ka dhënë populli siç e mendon por unë nuk mendoj që fuqia brenda popullit mund të përdoret për të hyrë në rrugë ku je vetëm”, tha ai.

Kryeministri shqiptar ndër të tjera theksoi se Kosova tashmë është një shtet sovran, por se nuk është në pozicionin që të harrojë se nga vjen dhe si rezultat i kujt është aktualisht.

“Kosova është sot një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran që ka problemin e hapur të domosdoshmërisë për t’u njohur nga të gjithë, për t’u ulur me të drejta të plota në Kombet e Bashkuara dhe në të gjitha instancat e tjera dhe që ka të gjithë autoritetin e nevojshëm demokratik për të marrë vendime për veten, por nuk është në pozicionin që të harrojë se nga vjen. Nuk është në pozicionin që të harrojë se është rezultat i luftës çlirimtare të mbështetur fuqimisht nga fuqitë e mëdha mike të shqiptarëve e dhe nuk është në pozicion in që të marri rrugë të reja pa u konsultuar me askënd, e për më tepër rrugë të reja që askush nuk i mbështet”, deklaroi ai.

Gjithmonë duke komentuar idenë e kryeministrit Kurti, Rama tha se nuk e kanë fuqinë që ta ndryshojnë mënyrën se si funksionon bota, por vetëm mund të marrin vendime në konsultim me aleatët strategjik.

“Ne nuk kemi fuqi të ndryshojmë mënyrën se si funksionin bota. Ne nuk kemi fuqi që të marrim vendime për të mëdhenjtë e kësaj bote. Ne kemi vetëm mundësinë për ta shfrytëzuar fuqinë tonë për të marrë vendimet e duhura për veten pa harruar që nuk jemi vetëm por që kemi të tjerë me të cilët duhet të konsultohemi dhe që janë aleatët e tanë strategjik”, tha Rama./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme