Google ADS

Gjykatësi Smith: Jemi drejt fundit të çështjes së ZPS-së në rastin Gucati e Haradinaj

13:53 | 5 Nëntor 2021
Arditë Shkodra

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës gjatë seancës së sotme ku u bë edhe dëgjimi i dëshmitarit të katërt në rastin Gucati dhe Haradinaj, kryetari i trupit gjykues Charles L Smith, përmes një urdhri me gojë ka bërë të ditur se janë drejt fundit të çështjes së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Smith ka njoftuar se janë pranuar si prova të gjitha provat materiale të dhënë nga dëshmitarja e parë e ZPS-së në rastin Gucati e Haradinaj, Zdenka Pumper, raporton arbresh.info

Poashtu Smith ka thënë se ka mbetur vetëm edhe një dëshmitari për t’u dëgjuar dhe se çështjet e tjera pezull që lidhën me rregullën 102(3) do të trajtohen më 15 nëntor.

“Trupi gjykues ka dëgjuar dëshminë e dëshmitares 4841 në periudhën nga 18-26 tetor 2021, gjatë kësaj kohe u shty vendimi për pranimin si dhe një numër të provave materiale. Më 28 tetor 2021 trupi gjykues dëgjoi parashtrimet gojore nga palët sa i takon pranueshmërisë së këtyre provave materiale. Pasi ka shqyrtuar provat materiale dhe ka shqyrtuar me kujdes parashtrimet e palëve, trupi gjykues vendos si më poshtë: Pranueshmëria e përgjithshme e mbrojtjes kundërshtohet, të gjitha provat materiale në kategoritë 1,2,3,4,5 dhe 6 pranohen si prova materiale. Trupi gjykues mendon qe dokumentet në kategorinë 7 nuk janë në aspektin gjyqësor të njoftueshme por pranon që ato do të pranohen si prova në provat individuale”, ka thënë gjykatësi Smith.

Për këtë vendim arsyetimi me shkrim do të jepet javën e ardhshme, gjithashtu trupi gjykues ka kërkuar nga mbrojtja e të akuzuarve që të njoftojë nëse do të ketë mocion për të hequr dorë ose nëse planifikohet të ketë një çështje të mbrojtjes  dhe në rast se do të ketë një mocion për të rrëzuar akuzat.

E mbrojtja e Gucatit, avokati Rees ka thënë se po planifikojnë për një mocion rrëzimi dhe se nëse duhet do të ketë një çështje të mbrojtjes

“Ne planifikojmë një mocion për rrëzimin, dhe nga ana tjetër planifikojmë që nëse do të na duhet që të përgjigjemi mbase do të ketë një çështje të mbrojtjes po ashtu”, tha Jonathan Elystan Rees.

Gjithashtu Rees ka bërë të ditur se në fund të çështjes së prokurorisë, Hysni Gucati do të bëjë një deklaratë para gjykatës.

Kurse mbrojtja e Haradinajt, Toby Cadman ka treguar se vendimi për të thirrur për herë të dytë ndonjë dëshmitar do të mirret pasi të përfundojnë dokumentet që janë pezull.

“Sa i takon kërkesës për të hequr dorë pozicioni ynë është që çështja e prokurorisë e prezantuar para nesh deri tani na qon ne në parashikimin që të bëjmë një kërkesë, sigurisht do të ju japim një listë të detajuar të provave që ne synojmë të përdorim dhe siç tha edhe zotëri Rees, ne jemi pragmatik dhe do të duhet të shqyrtojmë nëse duhet të thërriten ose jo edhe njëherë dëshmitarët e përmendur më sipër”, tha Cadman.

Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë./ArditëShkodra/arbresh.info/

Të ngjashme