Alternativat e Solskjaer për derbin e Manchesterit pas lëndimit të Raphaël Varane

15:24 | 4 Nëntor 2021
Lorik Gerbeshi

Vetëm disa ditë pasi u shërua plotësisht nga lëndimi i tij i mëparshëm dhe për t’u rikthyer në ndeshjen kundër Tottenham javën e kaluar, Raphaël Varane pëson sërish lëndim në ndeshjen e mesjavës kundër Atalantas, lëndim ky që pritet ta mbajë jashtë fushave për së paku një muaj.

Qendërmbrojtësi francez është paraqitur në vetëm nëntë ndeshje në të gjitha garat deri më tani këtë sezon, pasi lëndimi i tij i mëparshëm e la jashtë fushave për rreth tre javë.

Pas humbjes “turpëruese” kundër Liverpool me rezultat 5-0, Ole Gunnar Solskjaer nuk do ta ketë në dispocizion Varane edhe për një tjetër derbi.

Bëhet fjalë për derbin kundër Manchester Cityt e cila do të zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 13:30 në “Old Trafford”.

3-5-2 i Solskjaer

Pas humbjes kundër Liverpool, Solskjaer vendosi të kalonte nga formacioni i tij i preferuar 4-2-3-1 në 3-5-2 dhe futi Varane së bashku me Victor Lindelof dhe Harry Maguire kundër Tottenham Hotspur.

Duke përfituar nga vështirësitë që po kalonin Spurs, United arriti të mbajë portën e pastër dhe të rrëmbejë një fitore me rezultat të thellë 3-0.

Trajneri norvegjez provoi sistemin e ri edhe në ndeshjen kundër Atalantës, por skuadra e tij “luftoi” kundër skuadrës së Serie A, e cila do t’iu kishte rrëmbyer tre pikë në Itali nëse nuk do të ishte goli i barazimit nga Cristiano Ronaldos në minutën e fundit.

Alternativa në mbrojtje për derbin

Varane do të mungoj për derbin e Manchesterit dhe mbetet për t’u parë nëse Solskjaer do të vendosë të kthehet në formacionin e tij të përhershëm, 4-2-3-1 ose të zgjedhë përsëri treshen e mbrojtjes.

Maguire mund të luaj së bashku me Lindelof në një katërshe mbrojtëse, por ky i fundit ka pësuar një goditje që e la jashtë fushës kundër Atalantës, edhe ai është i dyshimtë për derbin.

Nëse qendërmbrojtësi suedez arrinë të jetë i gatshëm për derbi, United mund të luaj me treshen mbrojtëse, Lindelof, Maguire dhe Bailly, i cili ishte pjesë e formacionit startues kundër Atalantës dhe bëri përshtypje të martën mbrëma.

Mbetet për t’u parë se si Solskjaer do të përpiqet të anulojë sulmin e Manchester Cityt, i cili ka një mesatare prej dy golave për ndeshje deri tani këtë edicion në Premier League./Arbresh.info

Të ngjashme