Google ADS

Vuçiqi pret Ramën e Dimitrovin: Ballkani i hapur, vendim historik

10:02 | 4 Nëntor 2021
Përparim Bublaku

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur sot kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimirov, në kuadër të iniciativës “Open Balkan”.

Në një postim në Instagram, Vuçiqi ka shkruar se “Open Balkani është vendim historik”.

“Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për Çështjet Evropiane, Nikola Dimitrov, lidhur me bashkëpunimin në kuadër të nismës për Ballkanin e hapur”, thuhet në njoftim.

Sipas agjendës, Vuçiqi, Rama e Dimitrovi fillimisht do të mbajnë takim me biznese nga këto vende, ndërkohë në orën 11:30 është paralajmëruar konferencë e përbashkët.

Mbrëmjen e djeshme kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministri Dimitrov mbërritën në Beograd, ku u pritën për darkë nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq. Kësaj darke iu bashkua edhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, që po përfundon vizitën zyrtare në Serbi, ndonëse kjo nuk konfirmon se vendi po i bashkohet nismës “Open Balkan”, mund të shihet si një hap drejt përfshirjes.

Nisma për bashkëpunim rajonal u përkrahën edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE dhe Gjermania e cila doli në një deklaratë ku kërkoi me urgjencë që të nënshkruhet marrëveshja për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor.

Megjithatë kësaj nisme s’po i bashkohet Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme