Thellimi i kontestit mbi peshkimin midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës ka mbetur i pazgjidhur për dhjetë muaj për shkak të kërkesave në rritje dhe kërcënimeve nga të dyja palët, raporton Anadolu Agency (AA).
Shkaku i krizës në rritje ka qenë mosmarrëveshja mbi të drejtat e peshkimit pas Brexit-it, pasi peshkimi dhe kuotat ishin ndër subjektet më të vështira të negociatave të Brexit-it midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas marrëveshjes BE-Mbretëri e Bashkuar, rezervat e peshkut në ujërat e tyre territoriale do të menaxhohen së bashku, duke lejuar Mbretërinë e Bashkuar të përmirësojë aktivitetet e saj të peshkimit dhe peshkatarëve evropianë të vazhdojnë aktivitetet e tyre.
Marrëveshje e tregtisë dhe bashkëpunimit midis dy palëve parashikon një reduktim prej 25 për qind të kuotës së peshkimit të BE-së deri në vitin 2026 në ujërat territoriale britanike, me kuotat vjetore për çdo lloj peshku që do të përcaktoheshin veçmas.
Marrëveshja u arrit në negociatat për përcaktimin e kuotave të peshkimit në vitin 2021, por peshkatarët francezë në veçanti u ndalohet të operojnë në rajone të përcaktuara.
Tensioni u shndërrua në krizë kur administrata e ishullit britanik Jersey kërkoi që anijet franceze të peshkimit që dëshirojnë të vazhdojnë të operojnë në ujërat e ishullit, të japin dëshmi të aktiviteteve të tyre të kaluara.
Qeveria franceze ka akuzuar Mbretërinë e Bashkuar se me muaj nuk u jep licenca të gjithë peshkatarëve që dëshirojnë të peshkojnë në ujërat territoriale britanike.
Në kuadër të samitit G20, të mbajtur në Romë në fund të javës së kaluar, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik, Boris Johnson, u takuan për herë të parë ballë për ballë për të diskutuar kontestin mbi peshkimin, por nuk arritën asnjë zgjidhje. Deklaratat e palëve franceze dhe britanike pas takimit, megjithatë, ishin ndryshe nga njëra-tjetra.
Pallati presidencial Elysee tha se të dy liderët do të punojnë në “masa praktike në ditët e ardhshme” për të nxitur një de-përshkallëzim të kontestit, ndërsa zyra e kryeministri britanik tha se Johnson kërkoi nga Macron të zbusë retorikën e qeverisë franceze dhe të tërheq kërcënimet e saj, pa mos komentuar asgjë për të ulur tensionin.
– Kërcënimet e ndërsjella
Të dy vendet kanë kërcënuar njëra-tjetrën veçanërisht menjëherë pas takimit midis presidentit Macron dhe kryeministrit Johnson.
Në një konferencë për media pas takimit të fundit të G20-tës në Romë, Macron tha se, “Nuk dua ndonjë përshkallëzim, por ne duhet t’i trajtojmë gjërat në mënyrë serioze. Ne kemi punuar për dhjetë muaj. Disa nga peshkatarët (francezë) janë licencuar, ndërsa disave nuk u është dhënë (licenca) për arsye të panjohura. Një metod akoma nuk është përcaktuar për licencat. Qeveria franceze dhe BE-ja kanë të drejtë të thotë ‘nëse vazhdoni me këtë qasje, do të ketë masa hakmarrëse’”.
Macron tha se “topi është në fushën e tyre dhe nëse britanikët nuk bëjnë ndonjë lëvizje domethënëse atëherë masat hakmarrëse do të duhet të zbatohen nga 2 nëntori”. Ai theksoi se Franca ka siguruar dokumentet e kërkuara nga qeveria britanike pas takimit me Johnson.
Sekretarja e jashtme britanike, Liz Turs, më vonë në një deklaratë me shkrim tha se i kanë dhënë Francës 48 orë për të tërhequr kërcënimet e saj për çështjen në vazhdim, duke paralajmëruar se në të kundërtën ata do të ndërmarrin “veprime ligjore” kundër vendit.
– Një mundësi tjetër nga Macron
Në një lëvizje “befasuese” të hënën, Macron urdhëroi se masat hakmarrëse do të shtyhen, duke vendosur t’i japë Mbretërisë së Bashkuar një mundësi tjetër.
Lideri francez tha se Parisi nuk do të zbatojë masa hakmarrëse deri më 2 nëntor derisa bisedimet me Londrën po vazhdojnë.
“Do të shohim ku jemi nesër (të martën) në fund të ditës, të shohim nëse gjërat me të vërtetë kanë ndryshuar. Orët e ardhshme janë të rëndësishme”, tha Macron, duke shtuar se ai beson se kryeministri Johnson do ta marrë seriozisht propozimin francez.
Nëse Franca do të zbatojë masat hakmarrëse varet nga hapat që do të ndërmarrë Mbretëria e Bashkuar, ndërkohë pritet masa hakmarrëse të ndërsjella nëse palët nuk arrijnë konsensus.
– Masat hakmarrëse
Masat e mundshme hakmarrëse nga Franca përfshijnë planet për të kontrolluar sistematikisht produktet britanike të importuara në pikat doganore, si dhe ndalimin e importit të produkteve të detit.
Autoritetet franceze thanë se do të merren edhe masa të tjera, mes tyre edhe mundësia e ndërprerjes së energjisë elektrike në ishullin Jersey, duke përsëritur kërcënimin e mëparshëm të 5 majit të ministrit francez të Marinës, Annick Girardin.
Jersey, ishulli më i madh në Kanal, furnizohet 95 për qind me energjinë elektrike nga Franca, e cila është rreth 14 milje larg. Ishulli, i cili ka administratën e tij, përfaqësohet ndërkombëtarisht nga Mbretëria e Bashkuar.
– Deklarata të ashpra nga Franca, Mbretëria e Bashkuar thërret të dërguarin francez
Tensionet gradualisht u përshkallëzuan pasi të dyja palët lëshuan deklarata të ashpra kundër njëra-tjetrës.
Sekretari francez i shtetit për çështjet evropiane, Clement Beaune, tha se Franca duhet “të flasë gjuhën e forcës, sepse qeveria britanike e kupton vetëm këtë”.
Beaune shtoi se anijet britanike do të ndalohen nga portet franceze, përveç disa përjashtimeve.
Mes këtyre deklaratave të ashpra dhe kërcënimeve për hakmarrje nga Parisi në Londër, Mbretëria e Bashkuar thirri në Ministrinë e Punëve të Jashtme ambasadoren franceze në Londër, Catherine Colonna.
– “E tepruar dhe e papranueshme”
Sekretari britanik i mjedisit, George Eustice, po ashtu tha se komentet e bëra nga Franca janë “krejtësisht të tepruara dhe të papranueshme”.
Duke akuzuar Francën për përdorimin e gjuhës provokuese, Eustice tha se vendi duhet t’i japë fund kërcënimeve.
“Ata (Franca) thanë se nuk do t’i paraqesin këto masa deri të martën, ne do të shohim se çfarë do të bëjnë ata. Por nëse i zbatojnë këto masa, mirë, dy mund të luajnë në atë lojë dhe ne padyshim që rezervojmë aftësinë në mënyrë proporcionale”, tha ai.
– Franca kërkon nga BE-ja të jetë “më e rreptë” ndaj Mbretërisë së Bashkuar
Franca i përshkallëzoi fjalët e saj me kalimin e kohës pasi Mbretëria e Bashkuar nuk iu përgjigj kërkesave të saj.
Më 5 tetor, kryeministri Jean Castex tha se ai i kërkoi BE-së “të jetë më e rreptë” kundër Mbretërisë së Bashkuar për këtë çështje.
– Mbretëria e Bashkuar dërgon anije të marinës
Pasi peshkatarët francezë rrethuan portin në ishullin Jersey në fillim të muajit maj, Mbretëria e Bashkuar dërgoi dy anije të marinës pranë ishullit si një “masë paraprake”.
Si përgjigje, Franca po ashtu dërgoi dy anije të marinës pranë ishullit.
Të dyja palët tërhoqën anijet e tyre luftarake pas përfundimit të bllokadës nga anijet franceze të peshkimit.
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...