Rreziku i një lufte të re në Bosnje është “ekstremisht real”

20:00 | 2 Nëntor 2021
Trina Galanxhi

Marrëveshja e paqes e sponsorizuar nga SHBA-ja, e cila i dha fund luftës në Bosnje në vitet 1990, rrezikon të shpërbëhet nëse komuniteti ndërkombëtar nuk merr masa për të ndaluar separatistët serbë, paralajmëroi  i dërguari i paqes në një raport për Kombet e Bashkuara.

Në raportin e tij të parë në cilësinë e Përfaqësuesit të Lartë të komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, politikani gjerman Christian Schmidt tha se Bosnja po përballet me një kërcënim të madh për ekzistencën e saj që nga lufta, shkruan Reuters, transmeton portal arbresh.info

“Perspektivat për ndarje dhe për një konflikt të mundshëm janë shumë reale”, tha ai.

Politikani gjerman i është referuar udhëheqjes separatist serbe të Bosnjës që synon zhbërjen e institucioneve shtetërore si forcat e armatosura të përbashkëta, autoriteti i taksave indirekte dhe organet me të larta gjyqsore.

“Kjo është e barabartë me shkëputjen pa e shpallur atë,” tha Schmidt në raportin për Këshillin e Sigurimit prej 15 anëtarësh, i cili do të takohet këtë javë për të diskutuar Bosnjën dhe për të riautorizuar forcën paqeruajtëse të udhëhequr nga Bashkimi Europian, EUFOR.

Marrëveshja e paqes e Dejtonit e vitit 1995 i dha fund luftës trevjeçare e gjysmë midis serbëve të Bosnjës, kroatëve dhe boshnjakëve duke e ndarë vendin përgjatë vijave etnike në dy rajone autonome: Republikën Serbe të mbizotëruar nga serbët dhe Federatën e përbashkët nga kroatët dhe boshnjakëve.

Të dyja rajonet janë të lidhura me qeverinë qëndrore e cila është forcuar përmes vendimeve të të dërguarve ndërkombëtarë gjatë viteve për ta bërë Bosnjen një shtet funksional me institucione që mund të dërgojnë atë në BE dhe NATO.

Schmidt tha se tërheqja e njëanshme e secilit entitet nga institucionet shtetërore të krijuara nuk ishte ligjërisht e mundur sipas kuadrit aktual kushtetues dhe do të minonte aftësinë e shtetit për të funksionuar.

Sipas Schmidt EUFOR, që tani ka vetëm 600 vetë, është çelësi për stabilitetin e ardhshëm, duke paralajmëruar se në rast se serbët vazhdojnë të tërhiqen nga forcat e armatosura të përbashkëta dhe të krijojnë të tyren, misioni duhet të zgjerohet.

Serbët e Bosnjës, të mbështetur nga Rusia dhe Kina, nuk e njohin Schmidt-in si Përfaqësues të Lartë, sepse emërimi i tij nuk u miratua në Këshillin e Sigurimit të OKB-së./arbresh.info/

Të ngjashme