Google ADS

Bëhen homazhe te varret e heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, në 32-vjetorin e rënies

12:23 | 2 Nëntor 2021
Përparim Bublaku

Qytetarë të shumtë dhe përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale kanë bërë homazhe te varret e heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, në 32-vjetorin e rënies.

Homazhe kanë bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, kryetari aktual i Podujevës, Shpejtim Bullqi dhe qytetarë të shumtë.

Homazhe janë bërë edhe në vendin ku janë vrarë Zhitia e Fazliu

Fahriu dhe Afrimi u vranë më 2 nëntor 1989, në Bregun e Diellit në Prishtinë, pas një luftimi të pabarabartë me forcat e armikut.

Fahri Fazliu u lind në vitin 1963 në Llaushë të Podujevës. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Ai ishte pjesëmarrës edhe në demonstratat e vitit 1981. Ai aktivitetin e tij në çlirim të atdheut e vazhdoi gjatë tërë kohës edhe në vendin e tij të punës dhe kudo ku i jepej mundësia.

Afrim Zhitia u lind në vitin 1965 në Llugë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Më 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, inkuadrohet në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës. Më 1984 arrestohet bashkë më shokë dhe dënohet me katër vjet burgim.

Më 2 nëntor të të dy, Afrimi dhe Fahriu, u rrethuan në lagjen Bregun e Diellit nga UDBA serbe dhe prej orës 12:45 deri në ora 19:00 të shtënat nuk janë ndalur, ku edhe ranë heroikisht të dy atdhetarët.

Në nderim të jetës dhe veprës së tyre sot do të mbahen homazhe pranë Obeliskut të heroit të kombit në Llugë, te varrezat e heronjve në Prishtinë, si dhe afër vendit ku Afrimi e Fahriu ranë heroikisht./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme