FSK nuk mund të vendoset në veri të Mitrovicës pa lejen e KFOR-it, thotë kreu i këtij misioni

11:22 | 31 Tetor 2021
Përparim Bublaku

Forca e Sigurisë së Kosovës nuk mund të vendoset në veri të Mitrovicës pa lejen e KFOR-it.

Kështu ka thënë komandanti i ri i KFOR-it, gjeneral majori Ferenc Kajari.

Ai në një intervistë për Kosova Online, ka thënë se situata e sigurisë është e qetë.

“Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas një marrëveshje të mëparshme, duhet të autorizohet nga komandanti i KFOR-it para çdo dislokimi në veri të Kosovës. Policia e Kosovës mund të lëvizë lirshëm në mbarë Kosovën. NATO pret që institucionet vendase të vazhdojnë t’u përmbahen marrëveshjeve. Në javët e para jam takuar me krerët e institucioneve në Kosovë, të cilët më kanë siguruar se para çdo veprimi, do të ketë koordinim të duhur me Kosovën dhe vendosja e FSK-së në veri të Kosovës do të vazhdojë të bazohet në njoftimin dhe miratimin paraprak nga komandanti i KFOR-it”.

I pyetur për deklarimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se autoritetet e Kosovës po planifikojnë një aksion tjetër në veri, Kajari ka thënë se nuk dëshiron të spekulojë dhe se po e monitorojnë nga afër situatën dhe janë të përkushtuar në zbatimin e mandatit që kanë.

Gjenerali hungarez ka folur edhe për patrullimet e përbashkëta me Ushtrinë e Serbisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme