Google ADS

Azemi: Ngritja e çmimeve dhe paga e ulët do t’i detyrojë punëtorët të lënë punën

11:13 | 30 Tetor 2021
L G

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ngritjen e çmimeve ushqimore në Kosovë po e konsideron goditje të radhës.

Azemi në një intervistë për arbresh.info tha se, këto ngritje të çmimeve kanë krijuar revoltë të madhe tek qytetarët sidomos tek punëtorët e sektorit privatë.

“Me pagat të cilat janë në Kosovë, sidomos me pagën minimale ngritja e çmimeve është edhe një akt tjetër tek qytetarët. Ngritja e çmimeve është një goditje e radhës, goditje edhe monetare, sociale, morale dhe psikike pasi që këto ngritje të çmimeve kanë krijuar një revoltë të madhe tek qytetarët sidomos tek punëtorët e sektorit privatë. Paga minimale tani për tani është 170 euro, është më të vërtet një krim i rëndë ku qeveria e Kosovës edhe sot e sanksionon pagën 170 euro. Nëse vazhdon kështu ky trend i rritjes së çmimeve dhe mos rritja e pagës minimale, andaj në këtë formë jam i bindur që rreth 20% të sektorit privatë janë të obliguar që ta ndërpresin marrëdhënien e punës pasi që nuk e kanë llogarinë që të shkojnë dhe të punojnë”, tha ai.

Megjithatë nuk përjashtoj mundësin e një organizimi të protestës, ai tha se janë në përgatitje e sipër.

“Ne shpesh herë mundohemi të dalim më të kulturuar sesa vetë patrit politike, por po ne jemi në përgatitje e sipër por megjithatë ka qenë një hamendje a të mbajmë protesta edhe para zgjedhjeve të para, dhe po presim që të përfundojnë edhe këto zgjedhje dhe ndoshta ne do të presim por nuk do të presin punëtoret, sepse kemi ardhur në një moment kur nuk po njohin punëtoret as parlament as qeveri dhe as sindikatë dhe ata do të marrin situatën në duar e veta.”, tha ai.

Sipas tij premtimi i Kryeministrit Kurtit për rritjen e pagës minimale në 250 euro, ishte gënjeshtër, madje ai thotë se tani asnjë punëtor në Kosovë nuk pranon të nënshkruajë kontratë me këtë shumë.

“Qeveria e Kosovës i ka rrejt punëtorët e sektorit privatë kur ka thënë se paga minimale do të bëhet 250 euro. Ne i kemi thënë faleminderit për pagën 250 euro, sindikata e sektorit privatë mund të pranojë një pagë nëse është mbi 350 euro për 250 euro le të mbanë për veti sepse tani i kemi thirrur edhe punëtorët e sektorit privatë dhe nuk punon askush nën pagën 350 euro”, tha ai.

Ai tha se në Kosovë mbi 50% e punëtorëve të sektorit privat janë pa kontrata pune.

“Mbi 50% e punëtorëve te sektorit privatë janë pa kontrata pune dhe duke u bazuar në këtë sidomos të rinjtë orientimin e vet e kanë dalja jashtë vendit. Pasi që nuk ka një pagë solide dhe orar të punës e trust te paguar, por duke ju falënderuar ish Qeverisë dhe kësaj qeveria Serbia e ka arrit synimin e vet që ta zbrazë Kosovën, që nuk ka muajt me zmbrapsë në 99-tën, dhe tani shteti jonë po e zbrazë në një mënyrë të heshtur”, tha ai.

Në fund ai bëri thirrje që Kurti të zbatoj vetëm ato që i ka premtuar gjatë fushatës zgjedhore.

“Nëse një familjar mund ti ketë tre anëtarë të familjes do te ishte bazë minimale një pagë 600 euro sepse nën këto nuk mund të mbijetohet. Por kjo do ti kushtojë shtetit tonë edhe po i kushton është marre që këta njerëz kanë ditë me dal 24 or para qytetarëve tonë, të kërkojnë votën sepse do të punojmë për një gjendje sociale më të mirë për juve, por nëse vazhdohet kështu njerëzit do të vdesin edhe urie, dhe parlamenti jonë rrinë shumë qetë. Ne kemi bërë thirrje të përditshme që paga minimale të jetë 350 euro, të kemi inspektor të punës aq sa i ka premtuar kryeministri të zbatohen vetëm ato që i ka premtuar gjatë fushatës zgjedhore asgjë më shumë. Por deri më tani është e barabartë me zero”, tha Azemi./A.ZEKA./arbresh.info/

Të ngjashme