Google ADS

Rihapet gara për ndërtimin e Aeroportit të Sarandës

13:35 | 28 Tetor 2021
A. B.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë rihapi garën për dhënien me koncesion të Aeroportit të Sarandës.

MIE njoftoi hapjen e parë të garës për Aeroportin në gusht të këtij viti por nuk pati oferta. Në këto kushte MIE rihapi sërish garën dhe kompanitë e interesuara kanë afat deri më 26 nëntor për të paraqitur ofertat e tyre.

Shteti shqiptar sipas kushteve të kontratës së shpallur nuk do të ketë asnjë involvim në këtë projekt dhe nuk do të ofrojë asnjë garanci financiare qoftë për kompensimin e numrit të pasagjerëve apo forma të tjera.

Përzgjedhja e ofertuesit fitues do të bëhet në bazë të një procedure konkurruese të hapur ndërsa kohëzgjatja e kontratës koncesionare/PPP është 35 vite nga hyrja në fuqi e saj. Vlera e parashikuar e projektit është 34.3 milionë euro.

Kompanitë ofertuese duhet të plotësojnë kriterin e përvojës në projekte ndërtimi ose rinovimi të paktën të një aeroporti ku rinovimi konsiston në terminalin e pasagjerëve; pista dhe vendqëndrimi (kategoria 3C ose me art), gjatë 10 viteve të fundit, me kapacitet 1 milion pasagjerë ose më shumë.

Dokumentet e prokurimit përcaktojnë se koncesionari do të zhvillojë vazhdimisht (çdo 5 vjet) master planin e Aeroportit Ndërkombëtar të Sarandës, duke përfshirë parashikimet për fluksin e pasagjerëve, sigurinë, investimet e reja etj.

Në 3 fazat e operimit të aeroportit me koncesion në 5 vitet e parë të operimit parashikohet që terminali i pasagjerëve të akomodojë jo më pak se 130 mijë pasagjerë/vit ose 300 pasagjerëve në orë. Në fazën e dytë pas 5 vitesh operim parashikohet që fluksi i pasagjerëve të jetë 300 mijë pasagjerë/vit. Faza e tretë që përkon pas 10 vitesh aktivitet fluksi i pasagjerëve pritet të jetë 700 mijë në vit.

Koncesionari do të sigurojë që Terminali të projektohet dhe mirëmbahet me qëllim të zgjerimit të kapacitetit të Aeroportit në 2 milionë pasagjerë në vit. Koncesionari do të sigurojë që sipërfaqja totale e Fazës së Parë të Terminalit të Ri të jetë së paku 5,000 metra katrorë.

Aeroporti i Sarandës ndodhet rreth 6 km larg qytetit të Sarandës, pranë rrugës nacionale, 20 m mbi nivelin e detit. Në perimetrin e zonës së projektit të distancuar prej tij ndodhen fshatrat Cukë, Caush, Aliko, Neohor, Dritas, Plaga e Re, Skate. Nga ana perëndimore, zona e projektit kufizohet me kodrat ku shtrihet fshati “Lëkurës” me kështjellën e tij dhe përtej kodrave shtrihet qyteti i Sarandës. Në anën jugore kufizohet nga Liqeni i Butrintit. Nga ana lindore aeroporti i propozuar kufizohet me fshatrat Aliko, Dritas, Neohor. Nga ana veriore kufizohet me fshatin Vrion dhe Lumin Bistrica. /ATSH/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme