Google ADS

“Më zuri gjumi”, Busquets e merr përgjegjësinë për humbjen e Barçës

10:20 | 28 Tetor 2021
A. B.

Sergio Busquets e ka marrë përgjegjësinë për humbjen e Barcelonës kundër Ray Vallecanos të mërkurën, e cila i kushtoi me shkarkim trajnerin Ronald Koeman.

Mesfushori spanjoll ishte i pavëmendshëm me topin në këmbë, pasi Oscar Trejo ia vodhi topin atij në mesfushë dhe e nisi një sulm të shpejtë të vendasve.

Ai e shërbeu Radamel Falcaon në zonën e Barçës, i cili e dribloi Gerard Piquen para se ta mposhte Ter Stegenin me një goditje me të majtën në minutën e 30-të.

Busquets nuk u mundua ta fshehë fajin për golin dhe humbjen, duke thënë se gabimi ishte i tiji.

“Rashë në gjumë dhe ata ma vodhën topin”, e pranoi Busquets pas ndeshjes.

“Ata u nisën në kundërsulm pastaj dhe shënuan. Ishte gabimi im”, shtoi ai.

Kjo humbje e Barcelonës, e cila ishte e treta në katër ndeshjet e fundit në ligë, i kushtoi me shkarkim Ronald Koemanit.

Koeman e mori lajmin e shkarkimit mbrëmë pas mesnatës, vetëm pak kohë pas humbjes në Vallecano./GE/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme