Masakra e Kozarës ku u shua një familje e tërë në Shkurt të vitit 2006 në Kozare të Kuçovës bëri bujë të madhe në atë kohë. Në këtë tragjedi mbetën të vrarë Shpëtim Marra, gruaja e tij Florije Marra e cila ishte dhe 4-muajshe shtatzënë, si dhe djali 2-vjeçar i çiftit, Artiol Marra.
Për këtë ngjarje është arrestuar dhe dënuar me burgim të përjetshëm Luan Marra, vëllai i Shpëtim Marrës, i cili nuk e pranon autorësinë.
Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus e ka trajtuar me detaje këtë histori, përmes 3 puntateve të dedikuara.
Së fundmi, emisioni Uniko ka publikuar dëshmitë e Luan Marrës në muajin Tetor 2006, kur dhe u arrestua zyrtarisht disa muaj pasi kishte ndodhur masakra.
Pretendimi që ngriti policia në atë kohë ishte vrasje për shkak se Luani ka patur marrëdhënie intime me kunatën e tij, bashkëshorten e Shpëtimit.
Në një nga këto marrje në pyetje, atë të datës 29 Tetor 2006, Luan Marra pyetet disa herë nga hetuesi i çështjes në atë kohë, Sokol Bizhga, nëse ka patur marrëdhënie seksuale me bashkëshorten e vëllait.
Por Luan Marra nuk e ka pranuar asnjëherë këtë gjë.
MARRJA NË PYETJE E DATËS 29 TETOR 2006:
Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Çfarë mund të na thoni lidhur me debatin që është bërë në shtëpinë e Shpëtimit kur ai është kthyer për herë të fundit nga Greqia dhe në këtë debat sa persona keni qenë dhe në çfarë date dhe ore është bërë debati?
Luan Marra: Nuk mbaj mend që kur është kthyer Shpëtimi nga Greqia për herën e fundit unë të kem bërë ndonjë debat me të për çështje lekësh në shtëpinë e tij. Unë nuk i kam pasur lekë borxh Shpëtimit dhe nuk kisha përse të bëja debat me të, kështu që edhe për datën dhe orën se kur mund të jetë zhvilluar ky debat unë nuk kam se çfarë të the.
Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A të ka thënë Shpëtimi se unë të kam marrë në Greqi edhe në vitin 2004 edhe në vitin 2005 për të punuar dhe lekët që m’i ke borxh duhet të m’i kthesh?
Luan Marra: Unë dua të them se është e vërtetë që Shpëtimi më ka marrë në Greqi në vitin 2004 dhe 2005, por kur ika herën e dytë në Greqi, lekët që i kisha borxh unë ia lava Shpëtimit. Lekë të tjera nuk di që t’i kem borxh.
Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A të ka thënë Shpëtimi kur është kthyer nga Greqia për herë të fundit në shtëpinë e tij në debatin që keni bërë, se lekët që më ke borxh duhet të m’i kthesh sepse edhe unë jam në borxh?
Luan Marra: Siç e thashë edhe më lart, unë nuk i kam pasur lekë borxh Shpëtimit dhe nuk më kujtohet që ai të ketë kërkuar një gjë të tillë.
Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A të ka rënë në sy se Shpëtimi kishte filluar të dyshonte në marrëdhëniet e tua me Florijen?
Luan Marra: Shpëtimi asnjëherë nuk ka dyshuar për marrëdhëniet e mia me Florijen dhe nuk kishte asnjë arsye se përse duhet të dyshonte. Unë dua të them se marrëdhëniet e mia me Florijen kanë qenë të mira si kunata me kunatin. Shpëtimi nuk kishte përse të dyshonte se unë kisha marrëdhënie intime me Florijen.
Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Pavarësisht se Shpëtimi dyshonte ose jo, ti a ke pasur marrëdhënie intime me Florijen dhe a keni bërë seks bashkë?
Luan Marra: Jo kjo nuk është e vërtetë. Unë nuk kam pasur marrëdhënie intime me Florijen dhe nuk kemi bërë seks bashkë.
Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A i ka mbetur hatri nga Florijes kur nuk i ke kthyer lekër që i kishe borxh Shpëtimit dhe a e ka shprehur ajo një gjë të tillë me ty?
Luan Marra: Unë nuk i kam pasur lekë borxh Shpëtimit, kështu që edhe Florijes nuk kishte se përse t’i mbetej hatri për një gjë që nuk ekzistonte.
Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A mund të na thoni diçka për faktin kur një herë në mbrëmje siç shkoje zakonisht në shtëpinë e Shpëtimit kur ai ka qenë në Greqi, derën ta ka hapur Florija dhe ti je hedhur dhe e ke kapur nga gjoksi e pastaj ke mbyllur derën e jashtme?
Luan Marra: Jo nuk është e vërtetë! Unë nuk di që ta kem bërë një gjë të tillë.
Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A ka pasur dyshime Iliri (vëllai tjetër) se kishte marrëdhënie të fshehta me Florijen?
Luan Marra: Unë nuk di që Iliri të më ketë shprehur një gjë të tillë. Ai edhe mund të ketë pasur dyshime, por mua nuk m’i ka thënë kurrë. Ndoshta dyshimet e tij mund të kenë qenë pasi mund t’i ketë thënë ndonjë fjalë Majlinda.
Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Cila janë dyshimet që sipas teje ka pasur Majlinda për ty dhe Florijen?
Luan Marra: Them që ajo ka dyshuar vetëm për faktin që unë flija tek shtëpia e Shpëtimit por ajo nuk më ka parë kurrë që unë të kryeja marrëdhënie seksuale me Florijen.
Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: A të ka thënë Shpëtimi ty që të mos flesh më në shtëpinë time sepse nga tani e mbrapa do të flejë Dhurata? Kur ta ka thënë këtë fjalë dhe në çfarë vendi keni qenë ti me Shpëtimin?
Luan Marra: Këtë fjalë Shpëtimi ma ka thënë përpara se të shkonte në Greqi për herë të fundit. Dua të saktësoj që për herë të fundit Shpëtimi shkoi në Greqi në datën 15 Nëntor 2005. Bisedën e lartëpërmendur me sa më kujtohet e kemi bërë tek shtëpia e babait ku kemi qenë gjithë pjesëtarët e familjes, si unë, Shefqeti, Bajamja, Dhurata dhe Shpëtimi. Gruaja ime dhe e Shpëtimit nuk kanë qenë. Me sa kujtoj, Shpëtimi më ka thënë se ti Luan nuk do të shkosh më të flesh në shtëpinë time sepse nga koha që unë do të shkoj në Greqi e mbrapa, aty do të flejë Dhurata dhe jo ti Luan. Unë i thashë se nuk kam se si të fle në shtëpinë tënde tani sepse jam martuar.
Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Çfarë dini tjetër ju lidhur me ngjarjen që ka ndodhur në shtëpinë e Shpëtimit?
Luan Marra: Unë deri tani kam thënë shumë gjëra e hollësi të cilat i kam thënë me përgjegjësi, por tani do të kërkoja nga ju që të shkruani për gjithë ato që tregova, të deklaroj:
Oficeri i Policisë Gjyqësore, Sokol Bizhga: Çfarë do të deklaroni?
Luan Marra: Unë do të deklaroj se autor i ngjarjes së datës 9 Shkurt 2006 jam unë./ Tv Klan
Begaj pret ministrin Sikorskin: Vazhdim i mbështetjes për in...
Interi konfirmon lëndimin e Barellas – zbulohet se sa do të ...
Bislimi: Synojmë që të digjitalizojmë mbi 100 shërbime të re...
Trupat britanike mund të vendosen në Ukrainë për të trajnuar...
Sarës dhe Drilonit i vjen një dron, ata përqafohen
Osmani takoi Komisioneren për Zgjerim, theksoi rëndësinë e a...