Ibishi për kërcënimin ndaj Kurtit: Është sikur bomba e tempiruar, vetëm një herë mund të ndodhë të shpërthejë

01:00 | 28 Tetor 2021
Trina Galanxhi

Eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi, e ka komentuar rastin e kërcënimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Ibishi në Edicionin Special në Klan Kosova tha se secili kërcënim merret serioz nga institucionet e sigurisë së vendit.

Ai tha se shtimi i forcave policore si duket ka qenë i paparë për sigurimin e eskortës së kryeministrit.

“Çdo kërcënim merret serioz, sikur bomba e tempiruar sepse ndodh që vetëm njëherë të shpërthejë. Çdo herë merret si kërcënim serioz. Vlerësimi ka qenë se ai vetëm gjatë eskortës ka qenë i rrezikuar, ndërkaq në vendin e qëndrimit ai e ka sigurimin e objektit dhe ka qenë e panevojshme”.

Eksperti i sigurisë thekson se largimi i forcave të shtuara të policisë ndoshta mund të jetë ndonjë taktizim për të vëzhguar shtëpinë e Kurtit në mënyra tjera.

“Me siguri ndërmerren masa të mbulimit të terrenit, ndoshta jo në uniformë por në mënyrë tjera që bëhet pra observimi i objektit”.

“Pra, secili kërcënim merret serioz dhe policia dhe institucionet e tjera i marrin masat adekuate e edhe AKI-ja”.

Disa postime në rrjete sociale janë bërë nga persona të panjohur.

Në ato postime ofrohet shpërblim një shumë e parave për vrasjen e Albin Kurtit.

Prej marrjes së informacioneve Policia e Kosovës i ka shtuar prezencën e forcave tek shtëpia e Kurtit.

Pas disa orësh pjesëtarët shtesë që u kujdesen për sigurinë e shefit të qeverisë u larguan.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme