Kolegjet e Gjykatës Supreme kanë vendosur lidhur me tri ankesat e pranuara ndaj vendimeve të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që kanë të bëjnë me parregullsitë në procesin zgjedhor për zgjedhjet lokale të mbajtura me 17 tetor 2021.
Vendimi dhe arsyetimi i plotë i Supremes:
GJYKATA SUPREME E KOSOVËS- në kolegjin e përbërë nga gjyqtarët: Fejzullah Rexhepi, kryetar, Muhamet Rexha dhe Beshir Islami, anëtarë, në çështjen juridike të parashtruesit të ankesës të kandidatit të pavarur Rufki Suma, për Kryetar të Komunës së Hanit të Elezit, të paraqitur kundër Subjektit Politik Partia Demokratike e Kosovës, për shkak të presionit ndaj votuesve, për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës të datës 17 tetor 2021, duke vendosur sipas ankesës së ushtruar nga Mehmet Ballazhi, kandidat për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit, i subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përmes të autorizuarit të tij Faton Fetahu avokat në Prishtinë, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (në tekstin në vazhdim shkurt PZAP) Anr.693/2021, të datës 21.10.2021, në seancën e kolegjit të mbajtur me datë 23.10.2021, morri këtë:
A K T V E N D I M
APROVOHET si e bazuar ankesa e Mehmet Ballazhi, kandidat për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit, i subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ANULOHET vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Anr.693/2021, të datës 21.10.2021, dhe çështja i kthehet PZAP-it, në rivendosje.
2
A r s y e t i m i
Me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP) Anr.693/2021, të datës 21.10.2021, në pikën një të dispozitivit është vendosur të pranohet e bazuar ankesa Rufki Sumës, kandidat i pavarur për kryetar të Komunës në Han të Elezit, e cila mban shenjën A.nr. 693/2021 e datës 18.10.2021, anulohet Procesi i Votimit për Zgjedhjet Lokale të datës 17.10.2021, vetëm për kryetar Komunës, për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjes së votuesve. Në pikën dy të dispozitivit është urdhëruar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), me seli në Prishtinë, ta përsërisë votimin vetëm për Kryetar të Komunës në Qendrat e Votimit (QV) Nr. 33010, 3302d, 3303d dhe 3304d, të gjitha në Komunën e Hanit të Elezit.
Kundër këtij vendimi ankesë në Gjykatën Supreme ka parashtruar Mehmet Ballazhi, kandidat për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit i subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përmes të autorizuarit të tij Faton Fetahu avokat në Prishtinë, më datë 22.10.2021, me të cilën konteston ligjshmërinë e këtij vendimi, duke propozuar që ankesa të pranohet, dhe Gjykata Supreme të anuloi vendimin e lartpërmendur të PZAP-it.
Në përgjigje të ankesës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, qëndroi në konstatimet e paraqitura në vendimin e vet, dhe propozoi që ankesa të refuzohet.
Po ashtu Gjykatës Supreme më datë 22.10.2021, me një parashtresë i është drejtuar edhe Rufki Suma kandidat i pavarur, për Kryetar të Komunës së Hanit të Elezit, i cili ka kërkuar të refuzohet ankesa e parashtruar nga Mehmet Ballazhi, kandidat për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit i subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe vendimi i PZAP-it, të mbetet në fuqi.
Gjykata Supreme e Kosovës, pas vlerësimit të vendimit të atakuar, pretendimeve ankimore dhe atyre në përgjigje në ankesë, shqyrtoi shkresat e tjera të lëndës, gjeti se: Ankesa është e bazuar.
3
Nga shkresat e lëndës rezulton se kandidati i pavarur Rufki Suma, për Kryetar të Komunës së Hanit të Elezit, ka paraqitur ankesë kundër Subjektit Politik Partia Demokratik e Kosovës, për shkak të presionit ndaj votuesve, për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës të datës 17 tetor 2021.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa me vendimin Anr.693/2021, të datës 21.10.2021, ka vendosur të aprovohet si e bazuar ankesa e kandidatit për kryetar të Komunës në Han të Elezit, Rufki Suma, kandidat i pavarur, e cila mban shenjën A.nr. 693/2021 e datës 18.10.2021, dhe është anuluar Procesi i Votimit për Zgjedhjet Lokale të datës 17.10.2021, vetëm për kryetar të Komunës, për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjes së votuesve. Si dhe është urdhëruar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), me seli në Prishtinë, ta përsërisë votimin vetëm për Kryetar të Komunës në Qendrat e Votimit (QV) Nr. 33010, 3302d, 3303d dhe 3304d, të gjitha në Komunën e Hanit të Elezit.
Në arsyetimin e tij PZAP, thekson se pasi shqyrtoi shkresat e lëndës, pretendimet ankimore u vërtetua se në ditën e votimit në qendrat e votimit të cekura në ankesë ka pasur presion ndaj votuesve, e po ashtu ka pasur organizim për të votuar dhe blerje të votës për të votuar Subjektin politik Partia Demokratike e Kosovës, respektivisht kandidatin Mehmet Ballazhi, Paneli gjeti se këto pretendime janë të besueshme dhe të qëndrueshme, pasi nga provat e dorëzuara vërtetohet qartë se ka pasur organizim dhe shpërblim për të votuar kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, gjë që kjo vërtetohet nga mesazhet e dorëzuara si provë, ku në njërin mesazh përmendet organizimi dhe shpërblimi, ndërsa në tjetrën fotografimi i votës si përgjigje në raport me kërkesën dhe përmbushjen e obligimit në shenjë respekti.
Në këtë rast PZAP, vlerëson se vetë fakti i mënyrës së organizimit të votimit, presionit dhe përmendja e shpërblimit qoftë ky shpërblim në emër të organizimit apo blerjes, mesazhi me konfirmimin e votës për kandidatin fitues atë të Partisë Demokratike të Kosovës, rezulton se ka pas ndikim në procesin e votimit dhe mund këtë ndikim në rezultatin përfundimtar. Në Komunën e Hanit të Elezit deri me tani numri i votave të vlefshme është 4,874, ndërsa këtu kandidati i PDKsë ka fituar me 50,98 %, ankuesi me 42,47% ndërsa kandidati i tretë me 6,54 %, pra diferenca në përqindje në mes të kandidatit fitues dhe dy kandidatëve tjerë (ankuesit dhe kandidatit të tretë) është 1,97 % e që nëse përkthehet me vota nënkuptohet 96 vota, ndërsa nëse zbërthehet edhe më tutje, vota të mjaftueshme në përqindje për t’i ikur balotazhit diferenca është në 0,985 %, ndërsa në vota është 48 vota. Një diferencë e tillë e votave në raport me kandidatin fitues duke marrë për bazë provat që dëshmojnë organizimin dhe mënyrën e organizimit, presionit dhe përmendja e shpërblimit qoftë ky shpërblim në emër të organizimit apo blerjes, mesazhi me konfirmimin e votës për kandidatin fitues si dhe rrethanat tjera, është bazë e mjaftueshme për të përsëritur votimin, pasi çdo vendimmarrje ndryshe nënkupton shtrembërim të vullnetit të votuesve, dhe mungesë e legjitimitetit, ndërsa në instancë të fundit cenim dhe minim të integriteti zgjedhor.
PZAP-i, vendimin e tij e ka mbështetur në bazë të dispozitave, të neneve 115 paragrafi 1, 117 dhe 118 paragrafi 1, dhe 120 të LZP-së.
Në një gjendje të tillë faktike, Gjykata Supreme e Kosovës nuk mund të pranojë si të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-it, si në vendimin e ankimuar, për faktin se PZAP, ka dështuar të japë arsye për vendosjen si në dispozitivin e aktvendimit të atakuar me ankesë.
Është fakt se në bazë të dispozitës së nenit 120 par.1 pika b), i LZP-së, përcaktohet se: “Para certifikimit të rezultateve zgjedhore është në kompetencë të PZAP-it, në raste të jashtëzakonshme të anulojë rezultatet në një vendvotim apo qendër votimi, dhe ta urdhërojë KQZ-në, të përsërisë votimin në një qendër votimi apo vendvotim, nëse konsideron se ka ndikim në rezultatet finale”, por kjo dispozitë mund të aplikohet vetëm nëse plotësohet kushti i përcaktuar me nenin 117 par.3, të LZP-së, ku thuhet se: “Vendosja për apelet dhe ankesat nga PZAP-i, mbështetët në dëshmi të qarta dhe bindëse”, në rastin konkret nga arsyet e dhëna si në vendimin e atakuar nuk mund të arrijmë në përfundimin se vendosja si në dispozitiv që të anulohen procesi i votimit dhe të përsëritet procesi i votimit për Kryetar të Komunës në katër Qendrat e Votimit (QV) Nr. 33010, 3302d, 3303d dhe 3304d, Komuna e Hanit të Elezit, është rezultat i të provuarit përmes dëshmive të qarta dhe bindëse.
Objekt shqyrtimi dhe vlerësimi në Gjykatën Supreme të Kosovës ishin pretendimet ankimore të subjektit politik të lartpërmendur përkitazi me konstatimin jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike, të cilat pretendime ankimore janë të bazuara.
Në rastin konkret në vendimin e atakuar ndonëse thuhet se “pretendimet ankimore se në ditën e votimit në qendrat e votimit të cekura në ankesë ka pasur presion ndaj votuesve, e po ashtu ka pasur organizim për të votuar dhe blerje të votës për të votuar Subjektin politik Partia Demokratike e Kosovës, respektivisht kandidatin Mehmet Ballazhi, dhe se Paneli gjeti se këto pretendime janë
të besueshme dhe të qëndrueshme, pasi nga provat e dorëzuara vërtetohet qartë se ka pasur organizim dhe shpërblim për të votuar kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, gjë që kjo vërtetohet nga mesazhet e dorëzuara si provë, ku në njërin mesazh përmendet organizimi dhe shpërblimi, ndërsa në tjetrën fotografimi i votës si përgjigje në raport me kërkesën dhe përmbushjen e obligimit në shenjë respekti”, kjo mënyrë e arsyetimit të vendimit është plotësisht e papranueshme. Pasi arsyetimi i vendimit nuk përmban arsye se cilat janë ato dëshmi të qarta dhe bindëse, se në çka konsiston presioni ndaj votuesve, nga kush është ushtruar, si është ushtruar dhe kur është ushtruar, po ashtu përfundimi se vërtetohet qartë se ka pasur organizim dhe shpërblim për të votuar kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës duke u bazuar në dy mesazhe të cilat gjenden në shkresat e lëndës, dhe se të njëjtat janë prova bindëse për të anuluar rezultatet dhe urdhëruar të përsëritet votimi vetëm për Kryetar të Komunës në katër Qendrat e Votimit (QV) Nr. 33010, 3302d, 3303d dhe 3304d, Komuna e Hanit të Elezit, për Gjykatën Supreme këto përfundime janë të papranueshme, deri sa nuk është vërtetuar fakti nëse personat që adresojnë mesazhet telefonik te dy qytetarët janë në struktura organizative të degës së Partisë Demokratike të Kosovës, dhe nëse kjo formë e dërgimit të mesazheve telefonike ka qenë në mënyrë të organizuar, nga kandidati nga radhët e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës, apo nga ky subjekt politik, nëse mesazhet telefonike janë dërguar në numër të madh te qytetarët, apo kanë qenë rast i izoluar, nëse ka qenë rast i izoluar (që në shkresat e lëndës nuk ka prova se është ndryshe), a paraqesin prova të qarta dhe bindëse dy mesazhe telefonike për të anuluar dhe urdhëruar që të përsëritet votimi vetëm për Kryetar të Komunës në katër Qendrat e Votimit (QV) Nr. 33010, 3302d, 3303d dhe 3304d, Komuna e Hanit të Elezit.
Po ashtu nuk janë dhënë arsye se pse pikërisht janë anuluar dhe është urdhëruar që të përsëritet votimi vetëm për Kryetar të Komunës në katër Qendrat e Votimit (QV) Nr. 33010, 3302d, 3303d dhe 3304d, Komuna e Hanit të Elezit, kjo për faktin se për secilin vend votim apo qendër votimi, duhet të ketë arsye konkrete se cilat shkelje kanë ndikuar që procesi zgjedhor është dëmtuar në atë masë saqë duhet që i njëjti të përsëritet, pasi nuk mund të pranohen arsyet me parafrazime gjenerale se ka cenim dhe minim të integriteti zgjedhor, pasi nga provat e dorëzuara vërtetohet qartë se ka pasur organizim dhe shpërblim për të votuar kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës.
PZAP nuk ka dhënë asnjë arsye se në bazë të cilave prova tjera (ndonëse në shkresat e lëndës janë parashtruar edhe prova tjera), përveç mesazheve të përmendura, dhe nëse këto prova vërtetohet ndonjë shkelje e dispozitave ligjore të përcaktuara me LZP, apo rregullave zgjedhore të nxjerra nga KQZ-ja, dhe nëse këto shkelje janë arsye për shqiptimin e gjobave, apo mund të merren edhe arsye për anulimin e procesit të votimit në vendvotime të caktuara dhe të urdhërimit që procesi i votimit të përsëritet.
Në shkresat e lëndës janë bashkëngjit edhe disa video në CD, por të njëjtat nuk janë elaboruar në arsyetimin e vendimit të atakuar me ankesë.
Po ashtu shkresave të lëndës i janë bashkangjitur edhe librat e votimit për vendvotimet kontestuese, të cilat nuk janë marrë në konsideratë, apo të paktën nuk janë dhënë arsye nëse janë vlerësuar, edhe nën supozimin që të njëjtat PZAP nuk i ka pasur në shkresat e lëndës me rastin e vendosjes, bazuar në dispozitën e nenit 117.2, të LZP-së, është në kompetencë të PZAP-it, që gjatë vendosjes për një ankesë ose apel të shqyrtojë dhe hetojë të gjitha dëshmitë relevante, andaj në rastin konkret është dashur që nga Komisioni Qendror Zgjedhor të sigurojë të gjithë materialin zgjedhor, e veçanërisht librat e votimit, pasi bazuar në nenin 94 .1, të LZP-së, përcaktohet që “Secili VV e ka Librin e Votimit në të cilin shënohen të gjitha ngjarjet domethënëse në lidhje me mbajtjen e votimeve të cilat ndodhin në vendvotim gjatë ditës së zgjedhjeve”, që nënkupton se paraqesin dokument dhe provë të rëndësishme për të vlerësuar ecurinë e procesit zgjedhor në secilin vendvotim.
Nga arsyet e dhëna deri tani mund të arrijmë në përfundimin se gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë, dhe si rezultat kemi edhe zbatim të gabuar të dispozitave të neneve 117 dhe 120 të LZP-së.
Të metat e mësipërme janë të atij karakteri që e bëjnë të pamundur që Gjykata Supreme të vendosë ndryshe, për faktin se me nenin 120 të LZP-së, është në kompetencë të PZAP-it, për të vendosur lidhur me sanksionet ndaj shkeljeve, prandaj edhe çështja është rikthyer në rivendosje.
Në procedurën e rivendosjes obligohet PZAP, që të veprojë në përputhje me vërejtjet që u theksuan më sipër, dhe pastaj të marrë një vendim të drejtë e të mbështetur në ligj, ashtu që vendimi të përmbajë arsyetim bindës për mënyrën e vendosjes.
Për arsyet e paraqitura më lart, e në pajtim me nenin 118 pika 4 të Ligjit mbi Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, u vendos si në dispozitiv të këtij aktgjykimi. /arbresh.info/
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...