“Shqetësimet” e BE-së për vettingun, juristët e lidhin me investimet shumë vjeçare në EULEX

09:14 | 21 Tetor 2021
L G

Në raportin e fundit të publikuar nga Komisioni Evropian procesi i vettingut është vlerësuar si një masë e fundit, që duhet të vijë në konsideratë me rastin e shterimit të gjitha mjeteve dhe mekanizmave ekzistuese për ruajtjen e integritetin të gjyqtarëve e prokurorëve.

E rekomandimet e tilla janë quajtur si mbulime të misioneve ndërkombëtare të cilat kanë shërbyer në vendosjen e rendit dhe ligjit në Kosovë.

Njohës të çështjeve Juridike thonë se procesi i vettingut do të ndihmojë në filtrimin e drejtësisë në Kosovë madje është diçka që do duhej të ndodhte më herët dhe se lobimet e jashtme nuk duhet të ndikojnë fare në këtë proces.

Avokati Tomë Gashi, për arbresh.info vlerëson se Bashkimi Evropian me këtë raport vetëm po kërkon në mënyrë të tërthortë me i mbrojtë investimet e veta që i kanë bërë në misionin e EULEX-it.

“Tu e pa gjyqësinë e Kosovës se çfarë është këtu dhe sigurisht që Bashkimi Evropian duhet me i mbrojt investimet e veta që kanë qenë krejtësisht të pasuksesshme për më tepër se 10 vite, po mendoj misionin e EULEX-it, ndërkaq procesi i vettingut do të filloj vitin e ardhshëm dhe do të zgjas pesë vite. E ato mbesin vetëm vlerësime të tyre se nuk i pyet askush zyrtarët të Bashkimit Evropian për me e reformu sistemin tonë juridik”, shprehet Gashi.

Në anën tjetër avokati Musa Damati, për arbresh.info deklaron se raporti i Komisionit Evropian, bënë thirrje që të shterohen mekanizmat që janë në funksion, e që sipas tij janë të dështuar dhe nuk i ndihmojnë drejtësisë.

“Lidhur me raportin e Komisionit Evropian, rekomandimet e saj bëjnë thirrje për shterimin e mekanizmave ekzistues para vettigut, por mekanizma këto te cilat mendoj se deri tani kanë dështuar në mbrojtjen e integritetit të gjyqësorit duke mos arritur që të evitojnë de-politizimin e gjyqësorit, ndërhyrjet e grupeve te ndryshme te interesit, përfshirë edhe interesat partiake ne sistemin e drejtësisë”, tha Damati.

Tutje ai tha se procesi i vettingut duhet të vazhdojë pavarësisht grupeve të interesit të cilat duan ta cenojnë atë.

“Procesi i vettingut pavarësisht lobimit të grupeve të ndryshme të interesit është i domosdoshëm dhe duhet të jetë i pa shmangshëm për Republikën e Kosovës.

Vettingu si proces është i vonuar në Kosovë dhe me këtë proces pritet të behet ngritja e kapaciteteve ekzistuese të gjyqësorit të vendit, duke e filtruar dhe fuqizuar atë, përmes ngritjes së përformances integritetit dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë”, deklaroi Damati.

Kujtojmë që në raportin e publikuar ditë më parë nga Komisioni Evropian, thuhet se Kosova është ende në një fazë të hershme të zhvillimit të një sistemi gjyqësor që funksionon mirë.

“Administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadalshëm, joefiçient dhe i prekshëm nga ndikimi i parregullt politik. Gjatë periudhës së raportimit janë shënuar disa përparime. Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit rezultoi në një Strategji dhe Plan Veprimi për Sundimin e Ligjit, që përshkruan sfidat kryesore në sistemin e sundimit të ligjit dhe u adoptua në gusht 2021. Kosova futi në përdorim një sistem elektronik për menaxhimin e lëndëve dhe ngriti një sistem qendror të evidencave penale, megjithatë sfidat mbeten të pranishme. Kosova ka bërë përpjekje për të implementuar Ligjin për Ndërmjetësimin”, thuhet në raport.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për medie, të mërkurën, ka folur për disa nga të gjeturat e Raporti të Progresit.

Ajo ka thënë se nuk pajtohet me vlerësimin që raporti thekson se vettingu është “si burim shqetësimi serioz.”

“Sa i përket vettingut Komisioni Evropian konstaton se rivlerësimi i menjëhershëm i gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz. Si presidente nuk pajtohem me këtë konstatim. Në fakt mungesa e vettingut do ishte shqetësim serioz e jo përmbushja e këtij procesi. Vettingu jo vetëm që është i rëndësishëm por i domosdoshëm. Ky proces do të jetë i vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës”, ka deklaruar Osmani në konferencën për medie.

Ndryshe procesi i vettingut do të nis në vitin e ardhshëm dhe do të zgjasë pesë vite./S.D/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme