Indi, dhjetëra të vdekur nga përmbytjet

16:32 | 20 Tetor 2021
Përparim Bublaku

Numri i të vdekurve nga përmbytjet e shkaktuara nga shirat e dendur në dy shtete në veri dhe jug të Indisë u rrit në 85.

Sipas lajmeve në mediat indiane, në shtetin Uttarakhand në veri të vendit dhe në Kerala në jug të vendit ka viktima dhe dëmtime të pronës për shkak të shirave të dendur.

Ministri i Menaxhimit të Fatkeqësive në Uttarakhand, S A Murugeshan, njoftoi se numri i njerëzve që vdiqën nga përmbytja e shkaktuar nga shirat e dendur në shtet u rrit në 46.

Murugeshan tha se gjatë gjithë natës ekipet kryen operacione kërkimi dhe shpëtimi në rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga përmbytjet.

Duke theksuar se punimet e evakuimit vazhdojnë në zonat e prekura nga fatkeqësia, Murugeshan deklaroi se 11 persona të zhdukur në përmbytje janë ende në kërkim.

Në lajmet e mediave të vendit, thuhet se që nga 18 tetori kanë vazhduar shirat në malësinë Uttarakhand.

Përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës të shkaktuara nga shirat shkaktuan mbylljen e rrugëve, shembjen e urave dhe dëmtimin e shumë ndërtesave.

Nga ana tjetër, Departamenti Meteorologjik Indian (IMD) ka paralajmëruar se sot reshjet do të ulen në Uttarakhand, por mund të intensifikohen në pjesët verilindore dhe jugore të vendit.

Në rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet që ndodhën pas shirave të dendur në Uttarakhand, rreth 200 njerëz humbën jetën në shkurt kurse në vitin 2013 humbën jetën më shumë se 1.000 njerëz.

Në Kerala humbën jetën 39 persona.Shteti Kerala në jug të Indisë gjithashtu po kalon një kohë të vështirë për shkak të shirave.

Zyrtarët njoftuan se numri i njerëzve që humbën jetën në shtet për shkak të fatkeqësive dhe aksidenteve nga shirat e dendur në ditët e fundit është rritur në 39.

Autoritetet deklaruan se vazhdon kërkimi për gjashtë personat e zhdukur nga përmbytjet.

Në vendin ku mbi 10.000 banorë të Keralas u evakuuan dhe u vendosën në kampe në vende të sigurta gjithashtu u dëmtuan edhe tokat bujqësore./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme