Google ADS

Zyrtari i Fushë Kosovës i akuzuar për korrupsion dhe e akuzuara për falsifikim të dokumentit, deklarohen të pafajshëm

20:53 | 14 Tetor 2021
S D

Zyrtari i Gjendjes Civile në Komunën e Fushë Kosovës, Latif Ibrahimi dhe Laureta Etemi janë deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ibrahimi po akuzohet për keqpërdorim të autoritet apo pozitës zyrtare, pasi që kishte regjistruar të akuzuarën Etemi në librin e veçantë të lindjeve edhe pse e njëjta nuk i ka plotësuar kushtet për regjistrim. Ndërsa Etemi po akuzohet për “falsifikim të dokumentit”, pasi që për t’u regjistruar në librin e lartcekur kishte përdorur dokumentin të falsifikuar apo të ndryshuar si origjinal.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fitore Sadikaj, të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale që u vihen në barrë.

“Asnjëherë, detyrat unë nuk i kam tejkalua, jam i pafajshëm”, tha i akuzuari Ibrahimi.

Meqenëse të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë, gjykatësi Kushtrim Shyti i ka njoftuar ata se brenda afatit prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Lidhur me kundërshtimet eventuale, gjykatësi Shyti tha se do të vendos jashtë seancës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 13 nëntor 2018 kishte ngritur aktakuzë ndaj Latif Ibrahimit dhe Laureta Etemit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Ibrahimi në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Fushë Kosovë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për vete apo tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se, i akuzuari Ibrahimi më 22 qershor 2016 e ka regjistruar të akuzuarën Etemi në librin e veçantë të lindjeve, pa i plotësuar kushtet për regjistrim, që bie në kundërshtim me ligjin nr.04/L-215 për shtetësinë e Kosovës si dhe Udhëzimin Administrativ (MPB) nr.04/2014 për procedurat e fitimit të shtetësisë së Republikës së Kosovës.

Me këto Ibrahimi po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, e sanksionuar sipas nenit 422, par.1 të Kodit Penal.

Ndërsa, Etemi po akuzohet se për tu regjistruar në librin e lartcekur, me dije kishte përdorur dokumentin e falsifikuar apo të ndryshuar si origjinal, në këtë rast kartonin e letërnjoftimit të ish-Jugosllavisë të datës 6 tetor 1995, pa foto, të panënshkruar nga pala dhe nga zyrtari përgjegjës dhe të pavulosur.

Prokuroria të akuzuarën Etemi po e ngarkon me veprën penale “falsifikim i dokumentit”, i sanksionuar me nenin 398, të Kodit Penal.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme