Vazhdojnë zjarret në Kaliforninë Jugore

17:05 | 13 Tetor 2021
Arditë Shkodra

Në Kaliforni ekipet e zjarrfikësve po vazhdojnë luftën me zjarret ndërsa një autostradë kryesore e pjesës jugore të këtij shteti vazhdon të jetë e mbyllur. Sipas autoriteteve situata më alartmante është në Santa Barbara.

Një autostradë e rëndësishme e Kalifornisë Jugore vazhdon të jetë e mbyllur për të tretën ditë me radhë ndërsa urdhri për evakuim vazhdon të jetë në fuqi pas zjarreve të furishme që si pasojë e erërave të forta rrezikojnë të përhapen edhe në pjesë të tjera të shtetit.

Zyrtarët e Bashkisë Santa Barbara të martën deklaruan gjendje emergjente.

Më shumë se 200 zjarrfikës po luftojnë me zjarrin në lagjen Alisal, i shtrirë përgjatë 54 kilometrave katrorë të Qarkut bregdetar Santa Barbara. Autoritetet njoftuan se vetëm 5 për qind e zjarrit është e kontrolluar.

Kapiteni Daniel Bertucelli, zyrtar për informim në Departamentin e Zjarrfikësve në Santa Barbara, tha se kushtet e tokës dhe moti po vështirësojnë ndërhyrjen e tyre.

“Erërat me shpejtësi 60 deri 80 kilometra në orë, thatësia e madhe dhe terreni i pjerrët, krijon kushtet për një zjarr, kontrolli i së cilit është shumë sfidues”, tha Kapiteni Daniel Bertucelli.

Zjarri që të hënën shpërtheu në një pjesë malore është shtrirë drejt oqeanit, duke detyruar mbylljen e autostradës së vetme dhe kryesore në atë pjesë të bregdetit. Zjarri po digjet disa kilometra larg qendrës historike Rancho del Cielo, që ishte dikur në pronësi të Ronald dhe Nancy Reaganit. Ekipet kundër zjarreve po mbrojnë fermën që dikur njihej si Shtëpia e Bardhë e perëndimit ku Presidenti Reagan kishte mirëpritur udhëheqës botërorë.

Bordi mbikëqyrës i Bashkisë Santa Barbara kërkoi nga Guvernatori Gavin Newson shpalljen e gjendjes emergjente, një vendim që do të mundësonte shfrytëzimin e burimeve shtesë për zjarrfikësit dhe ekipet e evakuimit./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme