Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar, tha sot se ekonomia e Shqipërisë tregoi qëndrueshmëri ndaj dy goditjeve të mëdha, atë tërmetit të fundvitit 2019 dhe pandemisë.
Por ndërsa vihet re një rimëkëmbje e fortë, dhe një rritje që parashikohet në 7.8 përqind për vitin 2021, Fondi monetar vlerëson si sfida kryesore investimet me efikasitet te njerëzit dhe ekonomia si dhe uljen e deficitit të lartë fiskal dhe borxhit publik. Fondi rekomandon që Qeveria të heqë dorë nga ndërhyrjet e shpeshta me akte normative si dhe të moderojë investimet publike tejet ambicioze.
Si Fondi Monetar Ndërkombëtar, ashtu dhe autoritetet shqiptare, Ministria e Financave nga njëra anë dhe Banka e Shqipërisë nga ana tjetër, janë të të njejtit mendim se ekonomia shqiptare pati një rigjallërim të fortë pas goditjeve të marra vitin e kaluar.
“Pas një periudhe kontraktimi me 4 për qind në vitin 2020, ekonomia po ngrihet fuqishëm me rritje të parashikuar prej 7.8 për qind në vitin 2021, nxitur nga mbështetja e vazhdueshme e politikave monetare dhe fiskale, nga rindërtimi, pakësimi i kufizimeve të lëvizjes, prodhimi i lartë të energjisë elektrike falë kushteve të favorshme të motit në pjesën e parë të vitit, si dhe një sezoni turistik relativisht të mirë”, deklaroi drejtuesja e misionit te FMN-së, Yan Sun..
Qeveria shqiptare nga ana e saj parashikonte fillimisht një rritje prej 5.5 përqind. “Momentalisht ne parashikojmë një rritje prej rreth 7.6% për këtë vit. Ndërsa për periudhën afatmesme parashikojme që ajo të konvergojë dhe stabilizohet rreth nivelit 4%.Ne parashikojmë se një rritje e tillë në periudhën afatmesme do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet”, u shpreh ministra e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj.
Nga ana e saj FMN parashikon që në vitin 2022 rritja të zbresë në 3.8 përqind. Për Bankën e Shqipërisë “ndonëse ritmi i rritjes ekonomike pritet të vijë në ngadalësim, ai do të jetë i qëndrueshëm dhe i mjaftueshëm për të gjeneruar një shfrytëzim më të mirë të kapaciteteve prodhuese, rritje të punësimit e të pagave,si dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.”, deklaroi guvernatori i Bankës Qendrore Gent Sejko.
Ekonomia shqiptare pritet të përballet me një tjetër kërcënim, atë të një krize energjitike, për shkak të rritjes së fortë të cmimeve të importit. Ndërkphë që rritje kanë pësuar dhe cmimet e produkteve të tera në tregjet botërore. Por për ministren Ibrahimaj, ecuria e mirë ekonomike do të shërbejë si kundër peshë ndaj këtyre rreziqeve potenciale, ndonëse ato sipas saj nuk përbëjnë ndonjë kërcënim serioz dhe se me gjasë efektet e tyre do të jenë të moderuara.
Edhe FMN parashikon se rritja globale e cmimemeve do të jetë kalimtare. Sipas Fondit, “sfidat kryesore tani janë të dyfishta: Së pari, investimi me efikasitet tek njerëzit dhe ekonomia për të mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm të vendit; së dyti, rindërtimi i hapësirës për manovrim të politikës fiskale, për të ulur defiçitin shumë të lartë fiskal dhe raportin e borxhit publik. Mënyra për të kapërcyer këto dy sfida është ndërtimi i një strategjie ambicioze për të rritur të ardhurat tatimore dhe përmirësimi i transparences dhe cilësisë së investimeve publike”.
Shqipëria ka të ardhurat tatimore më të ulta në rajon dhe politikat e saj tatimore vlerësohen nga Fondi Monetar si “të fragmentarizuara, se kanë hendeqe, përjashtime dhe ndryshime të shpeshta që minojnë stabilitetin”.
Fondi i rekomandoi qeverisë të heqë dorë nga ndërhyrjet e shpeshta përmes akteve normative, ndërsa sa i përket shpenzimeve është i mendimit se “investimet publike tejet ambicioze duhen moderuar. Sfidat kryesore përfshijnë mungesën e transparencës mbi tejkalimin e kostove dhe afateve fillestare dhe mosrespektimin e proceseve të miratuara të përzgjedhjes dhe miratimit të projekteve, përfshirë këtu kur PPP-të përdoren për të anashkaluar tavanet buxhetore afatmesme”, vlerëson Fondi Monetar Ndërkombëtar./VoA/
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Dy të lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...
Gjykatësi shtyn për herë të tretë dënimin e Trumpit
Guri i LDK’së: Mundeni me na paditë, por drejtësisë nuk mund...