Google ADS

Vjedhja e mbi 2 milionëve në Thesar, ngritet aktakuzë ndaj dy personave

15:26 | 12 Tetor 2021
A. B.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Labinot Grudës dhe Kadri Shalës, të cilët gjenden në paraburgim, nën dyshimet për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër të pandehurve me iniciale L.G dhe K.SH. I pandehuri L.G., akuzohet për veprat penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 i KPRK-së, ‘’Hyrja në sistemet kompjuterike’’ nga neni 327 të KPRK – së, ‘’Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes’’ nga neni 336 të KPRK- së, si dhe ‘’Shpëlarje e parasë’’ nga neni 308 të KPRK-së, lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin K.SH”, thuhet në njoftim.

“Ndërkaq, ndaj të pandehurit me inicialet K.SH., është ngritur aktakuza për shkak të veprave penale ‘’Shpëlarje e parasë’’ nga neni 308 të KPRK-së, lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin L.G, dhe për veprën penale ‘’Ndihma’’ nga neni 33 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, në ndërlidhje me veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 të KPRK-së”, njofton Prokuroria Speciale.

“Prokuroria Speciale ju njofton se si pasojë e veprimeve inkriminuese të të pandehurve L.G dhe K.SH, buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej dy milion e shtatëdhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e pesë euro e nëntëdhjetë cent (2,077,995.90) euro”

“Lidhur me këtë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar konfiskimin e katër (4) veturave të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, si dhe nga ana e të pandehurve të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar Buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale, ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës”. /arbresh.info/

Të ngjashme