Azizi i PDK-së: Planprogrami ynë do të përmirësojë jetën e qytetarëve të Vitisë

00:41 | 11 Tetor 2021
Trina Galanxhi

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Vitisë, Bekim Azizi, ka shpalosur planprogramin e tij për këtë qytet, duke thënë se do të përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Ai në Edicionin Zgjedhor ka thënë se do të investojnë në fusha të ndryshme siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik si dhe furnizimi me ujë të pijshëm në tërë territorin e Vitisë.

“Me ekipin tonë profesional kemi përgatitur planin tonë me të cilin do të qeverisim për këtë mandat i cili bazohet në nevojat që kanë qytetarët. Ky planprogram ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve, si në punësim, zhvillim ekonomik dhe punësim”,ka thënë Azizi.

“Do të bëjmë menaxhim më të mirë të situatës në shëndetësi pasi dihet se kjo fushë është goditur shumë nga pandemia. Po ashtu do të bëjmë edhe rritje të cilësisë në arsim, si dhe do të sigurojmë furnizimin me ujë të pijshëm në tërë komunën”.

Azizi ka thënë se ata do të krijojnë hapësira të nevojshme për Qendrat të Mjekësisë Familjare dhe për Ambulancat e Mjekësisë Familjare që janë në fshatra.

“Çështja e shëndetësisë e prek çdo qytetar për këtë duhet të ketë menaxhim më të mirë të kësaj fushe, menaxhim më të mirë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, qendrave të mjekësisë familjare dhe të ambulancave të mjekësisë familjare duhet të më shumë rritje të hapësirave që të funksionojnë më mirë këto, duhet të bëhet ndarja e pjesëve për pacientët se ku kanë nevojë të shtrihen”.

“Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare nuk ka specialist të emergjencës, farmacist nuk ka që është me ligj e obligueshme dhe nuk ka biokimist në laboratorë, kjo të ardhmen duhet të funksionalizohet. Po ashtu objekti i QKMF-së pikon sa herë të bjen shiu, të gjitha ne këto do t’i rregullojmë”.

Ai tutje ka deklaruar se investime do të bëjnë edhe në fushën e kulturës, njofton Klan Kosova.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme