Google ADS

Kapen 900 mijë euro të falsifikuara në Maqedoninë e Veriut

21:09 | 9 Tetor 2021
A. B.

Policia bën të ditur se janë arrestuar shtetasit kamerunas me inicialet T.R.F.(36 vjeç) dhe M.B.S (40 vjeç). Saktësohet se gjatë kontrollit plotësues kufitar të bagazhit të T.R.F janë gjetur 2.591 prerje parash në të dyja anët e të cilave është shtypur një pjesë e dizajnit të bankënotave 50 euroshe, 2.363 copë me pjesë të shtypura të dizajnit të bankënotave prej 100 eurosh, 463 copë me dizajn të bankënotave prej 200 eurosh, 213 të 500 eurove, dy copa letre të prera, në njërën anë të të cilave janë shtypur më shumë bojëra të dizajnit të bankënotës 50 euroshe, 78 copa të prera letre pa asnjë shenjë si dhe dy shishe me lëng dhe një llambë-UV.

Ndërkaq, policia njofton se gjatë kontrollit të bagazhit të udhëtarit tjetër me inicialet M.B.S. janë gjetur 2.072 copë letrash të prera me prapavijë të zezë në të cilat, nga të dyja anët, është shtypur një pjesë e dizajnit të bankënotës 50 euroshe, 1.321 prerje të ngjashme të bankënotës prej 100 erove, 247 të asaj prej 200 erosh, 104 me dizajn të bankënotës prej 500 eurove si dhe një letërnjoftim francez në emër të K.V.S. dhe një dokument kamerunas i udhëtimit në emër të S.I.F, dokumente këto për të cilat policia thotë se nuk posedon të dhëna nëse janë të vërteta.

Sikurse transmeton TV Klan Macedonia, bëhet e ditur se tek dy të arrestuarit të cilët në Shkup erdhën nga aeroporti italian i Milanos janë zbuluar gjithsej 902.150 euro të falsifikuara. Ministria e Punëve të Brendshme thotë se ekspertiza e Bankës Popullore dhe e Seksionit të Hetimeve Kriminalistiko-Teknike pranë MPB-së, ka konfirmuar se fjala është për imitime të bankënotave euro të prodhuara me shfrytëzimin e pajimeve profesioniste. Kundër të dy shtetasve të Kamerunit është bërë kallëzim penal për falsifikim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme