Mbi 350 mijë gjoba për shkeljet në komunikacion gjatë këtij viti

08:23 | 9 Tetor 2021
Arditë Shkodra

Përdorimi i telefonit, tejkalimi i shpejtësisë, pakujdesia, po bëjnë që numri i aksidenteve në Kosovë të jetë gjithmonë shifër e frikshme .

Aksidentet e trafikut në Kosovë tash e një kohë të gjatë kanë krijuar një gjendje të jashtëzakonshme e tollovie në komunikacionin rrugor.

Një ndër shkaktarët kryesor po konsiderohet të jetë faktori njeri e përdorimi i telefonit gjatë ngasjes së automjetit.

Nga numri i madh i aksidenteve gjatë periudhës janar-shtator, 90 persona kanë humbur jetën si pasojë e tyre, kështu kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës për arbresh.info

Gjatë kësaj periudhe kohore sipas policisë, ani pse janë shqiptuar 351,296 mijë gjoba, kanë ndodhur 15,712 aksidente.

Me mbi 15 mijë aksidente të ndodhura prej tyre 79 ishin fatale, kurse me lëndime janë 5585, e persona të lënduar 10830.

Shqetësuese këtë situatë po e shohin edhe ekspertët e komunikacionit rrugor.

Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit rrugor shifrat e aksidenteve dhe personave që po humbin jetën në to, i sheh si shifra të frikshme .

“Po sipas statistikave kemi numër të madh të aksidenteve, shifrat janë të frikshme, mirëpo shteti ynë ka filluar me marrjen e masave, për ta përmirësuar gjendjen”, tha Ahmeti për arbresh.info

Ai thotë se nuk do të ketë përmirësim të gjendjes pa vendosjen e radarëve statike, kamerave dhe radarëve mobil.

“Pa vendosjen e radarëve statikë, kamerave dhe radarëve mobil, gjendja do të jetë e pa përmisueshme”, tha Ahmeti.

Policia e Kosovës për arbresh.info ka treguar se do të ketë aktivitete të shumta me qëllim parandalimin e aksidenteve të trafikut dhe të rritet siguria në trafik.

“Një prej objektivave parësore për Policinë e Kosovës është edhe ofrimin i sigurisë rrugore për pjesëmarrësit në trafik dhe parandalimi i aksidenteve, andaj sipas planifikimeve operacionale, parashihen aktivitete të shtuara me qëllim që të parandalohen aksidentet dhe të rritet siguria në trafik”, u tha në përgjigjen e policisë.

Ndryshe ligji për rregullat e trafikut rrugor ka hyrë në fuqi në shtator të vitit 2016, i cili parasheh gjoba të ashpra për të gjithë ata shoferë dhe këmbësor që thyejnë rregullat e komunikaiconit.

Në këtë ligj janë të përcaktuara rregullat e reja për shofer, këmbësor dhe për pjesëmarrësit e tjerë në trafik, sistemi i pikëve negative, marrja e përkohshme përkatësisht anulimi i patentë shoferit, përdorimi i rripit të sigurisë, mbrojtja e ambientit etj, dhe dënimet për shkelësit e rregullave të trafikut janë nga 300 deri në 900 euro./Arditë Shkodra/arbresh.info/

Të ngjashme