Reuters: Në Samitin e Sllovenisë, liderët e BE-së do të ripërsërisin garancinë për anëtarësimin e Ballkanit

22:14 | 4 Tetor 2021
Përparim Bublaku

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të ripërsërisin garancinë e tyre për anëtarësimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në të ardhmen, në samitin BE-Ballkan, që do të mbahet javën e ardhshme në Lubjanë.

Këtë e thanë dy zyrtarë për agjencinë e njohur të lajmeve “Reuters”, transmeton Klankosova.tv.

Pas javëve të mosmarrëveshjeve mbi formulimin e një deklarate samiti për mbledhjen e së mërkurës të udhëheqësve të BE -së dhe Ballkanit, të dërguarit nga 27 shtetet e BE -së arritën një marrëveshje për të “rikonfirmuar … mbështetjen e tyre të qartë për një perspektivë evropiane”, tha zyrtari.

Reuters më 28 shtator raportoi se bllokimi i deklaratës “garantuese” u pa si reflektim i mungesës së entuziazmit në kryeqytetet e shteteve të BE-së për të garantuar anëtarësimin në të ardhmen të Kosovës, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut.

Një zyrtar tjetër i BE-së tha për “Reuters” se ndërsa tani kishte një marrëveshje për një deklaratë samiti, strategjia e BE-së për zgjerimin e komunitetit të saj në jug-lindje u përball me pengesa, edhe nëse zyrtarisht dera është e hapur për ata që plotësojnë kriteret e anëtarësimit.

“Nuk mund të them se gjithçka është mirë”, tha zyrtari, duke vënë në dukje ngurrimin midis disa shteteve anëtare për zgjerimin e mëtejmë të bllokut. “Sigurisht që ka shumë çështje, por gjithashtu nuk mund të thuash që dera është e mbyllur”.

Shtetet e BE-së kanë refuzuar të zbulojnë qëndrimet e tyre mbi negociatat e deklaratës së samitit, megjithëse Sllovenia, e cila ka presidencën e radhës të BE-së, kërkoi të përfshijë angazhimin e bllokut që të pranojë në gjirin e saj gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2030, sipas një drafti të parë nga Reuters.

Zyrtari i BE -së tha se nuk kishte pasur sukses pasi nuk u përkah nga shtetet tjera.

Vendet e pasura të BE-së kanë frikë nga një përsëritje e asaj që ndodhi pas pranimit të nxituar të Rumanisë e Bullgarisë më 2007 dhe menaxhimit të dobët të migrimit të punëtorëve nga Evropa Lindore në Britani, që i ktheu shumë britanikë kundër BE-së.

Kujtojmë se në samitin që do të mbahet javën e ardhshme, pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme