Mehaj: Bashkëpunimi i fuqishëm Kosovë-Shqipëri, interes i lartë për sigurinë e rajonit dhe më gjerë

16:39 | 4 Tetor 2021
Përparim Bublaku

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj i shoqëruar nga zëvendësministri Shemsi Syla, priti sot në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, të shoqëruar nga atasheu i ri i mbrojtjes, Altin Kurti.

Përmes një njoftimi për media u bë e ditur se në këtë takim u bisedua lidhur me masat dhe veprimet e nevojshme që në mënyrë sa më efektive të realizohet Plani i bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes.

“Bashkëpunimi i fuqishëm në mes të dy shteteve tona në fushën e mbrojtjes, përveç interesit të përbashkët kombëtar, është edhe me interes shumë i lartë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit e më gjerë”, u shpreh ministri Mehaj.

Ndërkohë, ambasadori Minxhozi e rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë për ngritjen dhe avancimin e institucioneve të Kosovës, e në veçanti të Ministrisë së Mbrojtjes.

Në anën tjetër, Mehaj e falënderoi ambasadorin për mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë nëpër të gjitha fazat e shtet-ndërtimit që ka kaluar dhe po kalon vendi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme