Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha të shtunën se ai do të “punonte pa pushim” për të siguruar miratimin në Kongres si të Projektligjit për Infrastrukturën, ashtu edhe atë për Programet Sociale prej triliona dollarësh dhe se ka në plan të udhëtojë në vend për të mobilizuar mbështetjen për to mes amerikanëve.
Biden ishte në Kongres, në përpjekje për t’i dhënë fund një beteje mes të moderuarve dhe progresistëve të majtë në Partinë e tij Demokrate që ka rrezikuar fatin e dy projektligjeve që janë në qendër të programit të tij të politikës së brendshme.
Ai pranoi kritikat se ai nuk kishte bërë sa ç’duhet për të siguruar mbështetje për projekt-ligjet duke udhëtuar në shtete të ndryshme.
Biden tha se do të shkonte në të gjithë vendin “për të parashtruar argumentet se pse kjo është kaq e rëndësishme” dhe për t’u shpjeguar qytetarëve se çfarë përmbajnë dy projektligjet.
Ai tha se donte që përmes këtyre paketave të përmirësonte jetën e amerikanëve të zakonshëm, si për shembull lehtësimin për koston e kujdesit për fëmijët.
“Nuk ka asgjë në asnjë në këto projektligje që të jetë radikale dhe e paarsyeshme”, tha Biden.
Presidenti shprehu besimin se të dy paketat do të miratohen, por nuk pranoi të përcaktonte një afat se kur do të ndodhte kjo.
“Unë besoj se mund ta realizoj këtë”, përfundoi ai. /VoA/
Shpërndahen me gaz lotsjellës dhe ujë protestuesit te sheshi...
Haradinaj në Gjakovë: Me Kosovën fituese drejt NATO-s dhe zh...
Konjufca priti në takim komisionerin kroat për mbrojtjen e t...
KRU “Gjakova” me apel për pagesa të faturave
Serbët pro pjesëmarrjes në zgjedhjet e 9 shkurtit
Rashiq nuk pret asgjë nga takimi i radhës në Bruksel