Subjektet politike dhe kandidatët e tyre për kryetarë të komunave, nuk po respektojnë masat antiCOVID.
Kështu po organizohen edhe shumë takime të mbyllura, megjithatë nuk janë raportuar shqiptime të gjobave nga institucione inspektuese.
Në anën tjetër, PZAP deri më tani ka pranuar tri ankesa, ndërkohë që është gjobitur vetëm një parti politike. Investimet kapitale janë kryefjala e programeve të shumicës së kandidatëve, ani pse nuk tregohet qartë se si do të realizohen projekte të caktuara. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe të fushatës zgjedhore, nuk janë raportuar shpenzimet që janë bërë për fushatë në media sociale.
Kështu ka thënë Eugen Cakolli nga Misioni Vendor për Vëzhgimin e Zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, i cili ka shtuar se 55 për qind e kandidatëve që po garojnë për zgjedhjet e 17 tetorit nuk kanë qenë pjesë e garës më parë.
Ai tha se gjatë 17 ditëve të fushatës kanë bërë vëzhgimin e këtij procesi, duke u bazuar në pesë elemente.
“Jemi fokusuar në pesë elemente kryesore, që përfshijnë nivelin e respektimit të masave anti-COVID, formatin e fushatës, ofertat politike të kandidatëve dhe kandidaturat duke përfshirë aty aspektin gjinor, si dhe shpenzimet e kandidatëve të subjekteve politike. Përvoja e krijuar në dy palë zgjedhjet paraprake në kohë pandemie u ka dhënë subjekteve politike kohën e nevojshme që të adaptojnë strategjitë e tyre për rrethanat e reja, duke e orientuar fushatën e tyre kryesisht në platforma digjitale. Deri më tani nuk kanë munguar as aktivitetet me prani fizike të qytetarëve. Ku është vërejtur nje dozë më e lartë e përgjegjësisë në kuptim të respektimit të masave anti-COVID”, ka thënë Cakolli.
Megjithatë, ai ka shtuar se respektimi i distancës fizike dhe mbajtjes së maskës gjatë aktiviteteve zgjedhore, lë shumë për të dëshiruar, sidomos në takimet që janë mbajtur në vendet e mbyllura.
“Në këtë drejtim institucionet përkatëse inspektuese, si të nivelit qendror ashtu edhe atij lokali, nuk është raportuar se kanë shqiptuar gjobë për subjektet politike apo kandidatët e tyre për mos respektim të masave. Ndikuar nga kjo situatë me pandeminë por edhe zhvillimet teknologjike, subjektet politike por edhe kandidatët e tyre kanë bërë një kapërcim të konsiderueshëm nga mënyra tradicionale e të bërit fushatë tek fushata kryesisht digjitale, e cila ka përparësi të shumta, sidomos sa i përket numrit të qytetarëve që mund të arrihen”, ka shtuar ai.
Më tej, ai ka thënë se janë ulur pothuajse në zero, rastet e shpërndarjes së broshurave dhe vendosjes së posterëve në hapësira publike. Madje, sipas tij, kjo është fushata më e pastër në kuptimin ambiental.
“Në periudhën e deritanishme, sipas informacioneve tona, PZAP ka pranuar vetëm tri ankesa në lidhje me shkeljet gjatë fushatës, prej të cilave është vendosur vetëm për njërën. Përkatësisht është shqiptuar një gjobë prej pesë mijë eurove për Lidhjen Demokratike të Kosovës, për shkak të vendosjes së tendës dhe tavolinave me materiale propaganduese në rrugë publike”, shprehet ai.
Në konferencën e së shtunës, Cakolli ka bërë të ditur se partitë politike por edhe kandidatët për kryetarë po përdorin më së shumti Facebook-un dhe Instagramin për fushatë, por të njëjtit nuk po bëjnë publike shpenzimet.
“Për shpenzimet e bëra nga kandidatët në rrjetet sociale nuk është bërë publike as numri i aktiviteteve që janë sponsorizuar, por as shuma e shpenzuar për to, ndonëse është evidente që numri i artikujve të sponsorizuar në këto zgjedhje është rritur ndjeshëm. Sa i përket përmbajtjes së ofertave të kandidatëve, investimet kapitale mund të thuhet se janë kryefjala e programeve të shumicës së kandidatëve. Po ashtu, është vërejtur një kalim nga premtimet e karakterit mirëmbajtës të gjendjes aktuale tek projektet transformuese”, është shprehur Cakolli.
Edhe për këto premtime, Cakolli tha se kanë munguar informacionet se kur do të realizohen por edhe kostot e shpenzimeve. Kjo ka bërë që në sytë e një pjese të qytetarëve premtime të tilla të shihet si të parealizueshme. Në anën tjetër, shumë kandidatë po premtojnë për përgjegjësi që i takojnë qeverisjes ekzekutive.
“Si zakonisht këto premtime janë dhënë kryesisht nga kandidatët e radhës së subjektit politik në pushtet, të cilët kanë tentuar që të kthejnë në avantazh të tyre, ndihmën që potencialisht qeveria mund ta ofrojë në realizimin e këtyre projekteve apo investimeve të premtuara. Po ashtu janë të shprehura rastet kur kandidatët për kuvende komunale kanë dalë me premtime të caktuara, zbatimi i së cilave nuk është fare në dorën e kuvendeve komunale. Sa i përket gjuhës së fushatës, deri më tani ajo është karakterizuar me një gjuhë të qetë dhe të relaksuar dhe pa një incident serioz të përdorimit të gjuhës së urrejtjes. I vetmi rast atipik në këtë drejtim është organizimi i një lloj proteste të përkrahësve të një subjekti politik kundër kandidatit nga radhët e një subjekti tjetër ”, tha ai.
Demokracia në Veprim ka bërë thirrje që të ketë përfshirje më të madhe të grave në këto kandidatura, sidomos në paraqitjet e tyre. Për shkak të situatës me pandemisë, DNV do të ketë mision të kufizuar të vëzhgimit dhe do të mbulohen rreth 110 qendra të votimit. Po ashtu, pjesë e kësaj mostre do të jenë edhe komunat me shumicë serbe, ku do të mbulohen rreth 20 për qind të qendrave të votimit atje/RTK/
Gjesti rrëfen në detaje se çfarë u bë shkak i ndarjes me Xhe...
Rritet çmimi i gazit dhe elektricitetit në Britani/ Inflacio...
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë pa...
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Një i lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...