Franca legalizon fekondimin për lesbike, por ka mungesë sperme

14:38 | 2 Tetor 2021
A. B.

Falë një dekreti të lëshuar të mërkurën nga ministri francez i Shëndetësisë, Aurore Foursy dhe Julie Ligot, çift lesbikesh, mund ta bëjnë ëndrrën realitet të bëhen me fëmijë përmes fekondimit me spermë të një dhuruesi.

Franca tani është në mesin e 13 shteteve evropiane që ofrojnë trajtim me fekondim artificial për lesbike dhe për gratë beqare. Klinikat për fekondim presin rritje të kërkesave, shkruan CNN, transmeton arbresh.info

“Po presim 200 pacientë shtesë në vit. Bota duhet ta dijë se çiftet lesbike dhe gratë beqare janë më se të mirëseardhura. Do të mundohemi që t’ua japim trajtimin më të mirë të mundshëm”, tha Laurence Pavie, menaxhere e qendrës së fekondimit “Diaconesses Croix Saint Simon” në Paris.

Kujtojmë se këtë muaj, Ministria e Shëndetësisë e Francës njoftoi për ndarjen e 8 milionë eurove shtesë për shpenzime të stafit dhe pajisjeve në klinikat për fekondim me qëllim të ofrimit të përkrahjes para rritjes së pritshme të kërkesave. Synohet që koha e pritjes për këtë procedurë të zvogëlohet nga një vit në gjashtë muaj.

Sidoqoftë, për Dr. Meryl Toledano, e cila ka një klinikë të veten për fekondim, synimi i ministrisë duket ambicioz. “Vetëm me spermën franceze, ne do ta kemi vështirë që ta plotësojmë kërkesën”, tha ajo.

Franca nuk e lejon importimin e spermës nga shtetet e huaja. Për shkak se ligji nuk e lejon as shitjen e spermës, Franca gjithashtu përballet me vështirësi për ta siguruar këtë material gjenetik edhe brenda vendit.

Legjislacioni i ri gjithashtu përfshin heqjen e garancisë për anonimitetin e dhuruesit të spermës nga shtatori i vitit të ardhshëm, masë që pritet të ndikojë edhe më shumë në zgjerimin e mungesës. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme