Trepça mposht me rezultat të thellë Pejën, merr kreun e tabelës

21:20 | 30 Shtator 2021
KRG

Trepça ka shënuar fitore ndaj Pejës me rezultat 83-66 në kuadër të javës së katërt të  Superligës së Kosovës në basketboll.

Çereku i parë ishte i baraspeshuar dhe u mbyll me rezultat të barabartë 19-19.

Mitrovicasit ishin më të mirë në periudhën e dytë, duke pasur epërsi deri në dhjetë pikë, 34:24, ndërsa në pushim shkuan me epërsi 41:34.

Në periodën e tretë u zhvillua lojë më e baraspeshuar, me pejanët që afroheshin në rezultat dhe epërsinë e lehtë të mitrovicasve, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 61:55. Në 10 minutat e fundit, basketbollistët nga Mitrovica e ngritën edhe më shumë epërsinë, duke triumfuar në fund 83:66.

Te Trepca u dalluan Gerald Blackshear me 15 pikë e 11 kërcime, Andrew Gordon me 13 pikë e 12 kërcime dhe Drilon Hajrizi me 17 pikë, kurse te Peja u dalluan Dardan Berisha me 14 pikë, 6 kërcime e 6 asistime, Arian Qallaku me 14 pikë dhe Henrik Sirko me 11 pikë e shtatë asistime.

Trepça mbetet skuadra e vetme pa humbje në Art Motion Superligë me katër fitore në katër ndeshje, kurse Peja ka tri fitore dhe një humbje. /Lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme