“Njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm se dikush duhet të lëvizë dhe të funksionojë”, kështu komenton Mladen, një qytetar serb nga Mitrovica e Veriut, fletushkat me përmbajtje kërcënuese dhe ofenduese, të cilat, në këtë komunë, gjatë natës ndërmjet të martës dhe të mërkurës, më 28 dhe 29 shtator, u vendosën mbi automjetet që kishin targa të Serbisë.
Në ato fletushka u sugjerohet pronarëve që të mos i marrin targat e përkohshme të Kosovës (RKS) dhe se për ata që do ta bëjnë këtë mund të ketë pasoja.
Mladen thotë se qytetarëve u kanë ardhur në majë të hundës presionet, ndërkaq për sa i përket vendosjes së fletushkave, ai thotë se nuk e ka idenë se kush ka mundur ta bëjë këtë.
“Kjo ka mundur të bëhet vetëm gjatë natës dhe është çështje për policinë”, tha Mladen.
Edhe qytetari tjetër serb nga kjo komunë, i cili u prezantua me emrin Jugosllav, tha që shpërndarja e fletushkave me kërcënime është çështje e policisë, e cila sipas tij, duhet t’i gjejë personat që i kanë vendosur ato fletushka me përmbajtje kërcënuese ndaj pronarëve të automjeteve me targa të Serbisë.
“Nuk e ka bërë këtë vetëm një njeri. Këtë e kanë bërë shumë njerëz. Një gjë e tillë duhet të zgjidhet”, tha Jugosllav.
Mesazhe kërcënuese në kohë tensionesh mes Kosovës dhe Serbisë
Por, e gjitha kjo ka ndodhur në kohën kur janë ngritur tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës së reciprocitetit me Serbinë për targat, më 20 shtator. Serbët lokalë kanë bllokuar rrugët në afërsi të vendkalimeve kufitare në Jarinë dhe Bërnjak.
Ky bllokim i vendkalimeve kufitare tani pritet të hiqet, marrë parasysh që ekipet negociuese të Kosovës dhe Serbisë, përmes Bashkimit Evropian, të enjten, më 30 shtator, kanë arritur një marrëveshje për shtensionimin e situatës, heqjen e barrikadave dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës, si dhe një zgjidhje të përkohshme për targat.
Pakënaqësinë në mesin e serbëve në veri të Kosovës e rriti edhe njoftimi nga autoritetet e Kosovës se të gjitha targat e lëshuara nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë do të konfiskoheshin.
Bëhet fjalë për targat me akronime të qyteteve të Kosovës, KM (Mitrovica e Kosovës), PR (Prishtinë), GL (Gjilan) dhe targa të tjera për qytetet tjera në Kosovë, të cilat dhjetë vjet më parë u hoqën në komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, sipas Marrëveshjes së Brukselit për lirinë e lëvizjes.
Ndonëse këto targa janë jolegale për autoritetet e Kosovës, Ministria e Brendshme e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë, më 22 shtator, se do të lejoheshin të riregjistrohen ato automjete, me targa RKS.
“Mund t’i regjistrojnë sipas së njëjtës procedurë si të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës. Ata vetëm duhet të kontaktojnë qendrat e regjistrimit të automjeteve dhe do të marrin të gjitha informacionet dhe detajet e nevojshme”, kanë thënë Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.
Petroniq: Kërcënim joserioz nga kinse patriotët
Studiuesi i çështjeve të sigurisë, Veroljub Petroniq nga organizata joqeveritare Qendra Humane në Mitrovicë, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, tha që fletushkat me përmbajtje kërcënuese dhe ofenduese, të cilat janë vendosur në disa automjete në komunat në veri të Kosovës, nuk i konsideron si kërcënim serioz. Kjo për faktin se sipas tij, kur dikush shkruan një kërcënim serioz, kryesisht nënshkruhet si individ, organizatë, grup i qytetarëve, grup i rezistencës ose grup ekstrem.
“Po të kishte nënshkrimin e kujtdo qoftë, këtë do ta merrja si kërcënim serioz. Por, mendoj se janë dy mundësi lidhur me atë se kush qëndron prapa kësaj. Pra ose dikush i ka dirigjuar të rinjtë që ato mbishkrime t’i shpërndajnë nëpër qytet ose dikush prej të rinjve ka guxuar që të bëjë një veprim të tillë kinse patriotik, që të dërgojë porosi kërcënuese, për të thënë se nuk i duam këto targa”, tha Peroniq.
Ai shtoi se megjithatë, kërcënimet ndaj qytetarëve për të mos marrë targat e Kosovës, dëmtojnë vet qytetarët, të cilët sipas tij, nuk kanë ndonjë përgjegjësi për situatën e krijuar lidhur me targat.
“Nuk duhet kërcënuar qytetarët, sepse një numër i madh i tyre punojnë në anën jugore të lumit Ibër. Punojnë në Graçanicë, në Priluzhë, në Plemetin, në Prishtinë. Punojnë edhe në institucionet e Kosovës, por edhe në institucionet serbe dhe ata duhet të udhëtojnë. Ata nuk mund të udhëtojnë në qoftë se nuk i marrin ato tabela të përkohshme, RKS ose sido që t’i quajmë. Nëse nuk i kanë ato tabela, atëherë nuk mund të shkojnë në punë. Kjo paraqet problem të madh edhe për lirinë e lëvizjes”, tha Petroniq.
Ai theksoi që nuk është e vështirë që Policia e Kosovës t’i identifikojë personat që kanë vendosur mbishkrime kërcënuese mbi veturat e qytetarëve, të paktën në Komunën e Mitrovicës së Veriut, për shkak se, sipas tij, shumica e rrugëve janë të mbikëqyrura me kamera.
Për më shumë, sipas tij, mbetet e çuditshme se si Policia e Kosovës nuk e ka vërejtur shpërndarjen e atyre mbishkrimeve, përderisa, siç tha ai, një gjë e tillë është bërë gjatë natës, kur në fuqi ishte masa që ndalon lëvizjen e qytetarëve, si masë për luftimin e pandemisë së koronavirusit.
Policia hesht për rastin
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, të mërkurën, më 29 shtator, përmes një komunikate për media ka dënuar ashpër “kërcënimet në drejtim të qytetarëve të cilët janë pajisur me tabela të përkohshme sipas vendimit të MPB-së më datë 20 shtator 2021”.
“Këto kërcënime janë të papranueshme dhe po pengojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave”, tha MPB-ja, duke shtuar se tashmë këto raste po hetohen nga Policia e Kosovës që do të ndërmarrë masa sipas ligjit.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Policisë së Kosovës me pyetjen se a ka nisur ndonjë hetim lidhur me shpërndarjen e mbishkrimeve kërcënuese të vendosura mbi veturat e qytetarëve në komunat veriore të vendit. Por, deri më tash zyrtarët e policisë, përgjegjës për komunikim me media, nuk janë përgjigjur.
Kush po i frikëson serbët?
Kjo nuk është hera e parë që serbët në veri të vendit i frikësojnë me qëllim që të mos integrohen në sistemin e Kosovës ose me qëllimin që institucionet e Kosovës të mos arrijnë të vendosin pushtetin në atë zonë.
Një prej shembujve është edhe kur tre vjet më parë, Në Zubin Potok, komunë kjo me shumicë serbe në veri të vendit, u shfaqën fletushka ku thuhej se pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës do t’iu “thyhen eshtrat”.
Ditë më parë, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve të Kosovës në Zubin Potok, ku qytetarët serbë merrnin targat e përkohshme RKS, u dogj. Gjithashtu, u sulmua qendra e ngjashme në Zveçan, mbi të cilën u hodhën dy granata dore, por që nuk shpërthyen.
Se serbët në veri po vuajnë një formë të presionit, këtë e konfirmuan, më 23 shtator, disa punonjës në institucionet serbe, të cilat funksionojnë në Kosovë. Me kërkesën që të mos zbulohet identiteti i tyre, ata konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se ishin “të detyruar” që me ndërrime të merrnin pjesë në bllokimin e vendkalimeve kufitare Jarinë dhe Bërnjak.
Sipas tyre, kërkesa e tillë erdhi nga autoritetet lokale, të cilët janë të Listës Serbe, parti kjo kryesore serbe e Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Zyrtarët e kësaj partie nuk u janë përgjigjur thirrjeve të Radios Evropa e Lirë, por Igor Simiq, zyrtar i Listës Serbe dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, në një deklaratë për agjencinë shtetërore serbe të lajmeve, Tanjug, ka theksuar që “qytetarët u mblodhën spontanisht në barrikada” dhe se ata nuk kanë qenë të ftuar nga asnjë kryetar komune nga veriu.
Duke folur për barrikadat në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak, ai tha se “çdo kryetar i komunës është me qytetarët e tyre aty për të ruajtur paqen”. /rel/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...